E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Procedura e përshpejtuar, përpjekje për të mbuluar grushtin e shtetit në mbrojtje të Ballukut

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediet, pas seancës plenare ku u votua për të kaluar me procedurë të përshpejtuar të draftmarrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, tha se akti është në shkelje të Kushtetutës.

Sipas tij, qëllimi është një përpjekje të mbuluar grushtin e shtetit në mbrojtje të Ballukut.

“Një sqarim, kjo që shihni ju nuk është procedura e përshpejtuar. Kjo që shihni këtu është një akt që shkel në mënyrë flagrante nenet e Kushtetutës, që përcaktojnë afatin e një procedure të përshpëjtuar që nuk mund të jetë kurrë më e shkurtër se sa një javë.
Këta nuk kanë Kushtetutë, nuk kanë ligj, nuk kanë moral”, tha Berisha.

Sipas tij, “Arsyet e kësaj që ndodhi janë të shumta, por para së gjithash është grushti i shtetit që po konsumon Edi Rama me Gjykatën Kushtetuese, e cila sot për turpin e saj vendos për të shtyrë më tej mbrojtjen e Lubi Ballukut dhe zhvlerësuar kërkesën e prokurorisë speciale për pezullimin dhe arrestimin e saj”.

“Pra, këto që ndodhin janë një përpjekje për të zgjatur jetën, por unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë, ditën e shtunë, në orën 5 (17:00) do t’i japin përgjigjen më të merituar kreut të organizatës kriminale dhe vetë organizatës”, u shpreh Berisha.

I pyetur nga gazetarët sesi PD do të votojë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, Berisha tha se Partia Demokratike në çështje sigurie ka votuar si ShBA.

“PD ka një parim, nga i cili nuk ka lëvizur kurrë. Në çështje të sigurisë ka votuar si ShBA, dhe kjo është e faktuar sa në 8 vite në pushtet ne, përfaqësuesit tanë kanë pasur porosi konstante. Ç’ka ky (Rama – Shën. i red.) që nuk e ka bërë? Ky votoi një rezolutë me Jemenin, për Palestinën dhe kundër ShBA. Qëndrimi ynë është: ne votojmë pro.

E dyta, si shqiptarë kemi një arsye të dytë. Ata janë faktori më përcaktues në pavarësinë e Kosovës, në lirinë e Kosovës. Pavarësisht se kjo gjeopolitikë sot ka trajta të tjera, personalisht në çështje të sigurisë unë do të votoja ShBA”, përfundoi Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›