Berisha: Protesta kombëtare, moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në “Foltoren” e zhvilluar sot para Kryeministrisë, kërkoi largimin e qeverisë, e cila sipas tij “ka shpërfytyruar dhe po shpërfytyron çdo ditë e më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te protesta që do të zhvillojë opozita më 24 janar, nga ku u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen.
Sipas Berishës, protesta e 24 janarit do të jetë një moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit.
“Kjo protestë e kësaj jave ka një rëndësi të veçantë sepse kjo javë është përcaktuese për 24 janarin, protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë, zemërimin më të fuqishëm të shqiptarëve, guximin e tyre më të madh”, u shpreh Berisha para pjesëmarrësve duke iu referuar protestës kombëtare të thirrur nga kjo parti.
“Shqiptarët po presin me padurim revoltën, kryengritjen paqësore, përballjen dhëmb për dhëmb me këtë regjim, fitoren e opozitës. Ndaj secili këtë javë, këto ditë, secili nga ne dhe çdo opozitar, të bëjë gjithçka, të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar”, tha Berisha.
Berisha theksoi më tej se në komisionin e jashtëm të kongresit të SHBA, u miratua një dokument themelor, në të cilin pasqyrohen të gjithë shqetësimet për të cilat protestuan qytetarët në dhjetor.
Berisha tha se ky dokument denoncon me forcën më të madhe arrestimet politike të këtij regjimi dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe të Brukselit kundër kësaj situate. “Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi”, tha kreu i PD-së.
Berisha u shpreh se “Shqipëria nuk do ketë kurrë Kushtetutë dhe ligj pa triumfin e opozitës, pa triumfin e qytetarëve, pa kryengritjen paqësore të shqiptarëve”. /m.q/j.p/