E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protestat kanë në themel mostransparencën e qeverisë

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama në podkastin e së dielës, duke deklaruar se ai sulmoi e përçmoi dhjetëra mijëra qytetarë që prej një jave protestojnë.

“Ai prapë u përpoq t’i akuzojë fuqi të huaja, na rikujtoi kohërat e zeza të diktaturës kur e gjithë bota paraqitej kundër nesh. Shpiku armiq imagjinarë dhe u përpoq të argumentojë luftën hibride kundër Shqipërisë”, u shpreh Berisha në një dalje në rrjetet sociale ku komentoi deklaratat e Ramës.

Sipas tij, e vërteta është se këto protesta kanë në themel, para së gjithash dhe mbi të gjitha, veprimet me zero transparencë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij në investimet në Zvërnec.

“Edi Rama firmosi lejen e zhvillimit në kundërshtim me ligjin, në prani të konflikteve gjyqësore midis palëve për pronën. Nuk tha një fjalë të vetme, nëse ai në detyrim, në detyrim madhor të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që rrjedhin nga direktiva Natura 2000 ka bërë aty një vlerësim të përshtatshëm, ka bërë aty një vlerësim strategjik, ka bërë një vlerësim mjedisor për të gjithë këtë projekt”, u shpreh Berisha.

“Nuk shpjegoi pra asgjë përveç luftës hibride, kërcënimeve dhe cinizmit ndaj protestuesve dhe mburrjes së tij se ai si omnipotent nuk pyet për asgjë. U përpoq të mashtronte shqiptarët se paska marrë kryesinë e shoqatës së pyjeve në Europë në një kohë kur jemi vendi me pyjet më të shkatërruara dhe më të djegura, më të pambrojtura në Europë”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›