E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protestat nuk do të ndalen! Rinia në shesh tmerroi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha paralajmëroi se protesta e 24 janarit ishte vetëm fillimi i asaj ç’ka e cilësoi si vala e tubimeve të papërmbajtshme.

Në një konferencë për mediat, kryedemokrati u shpreh se reagimi i kreut të qeverisë tregon se është frikësuar nga revolta qytetare.

“Padyshim do ketë protesta dhe vetëm protesta. Jemi në kilometrin e fundit, të gjithë potencialin tonë, jemi mirënjohës pafund për përgjigjen qytetare. Tipari më kardinal në atë protestë ishte rinia në veprim dhe ndaj tmerri i Ramës që i quajti rrugaçë lagjesh të rinjtë dinjitozë e guximtarë që kishin dalë për ndërgjegjen e tyre kundër tij”, tha Berisha. 

Kryeopozitari nuk ndali as akuzat teksa theksoi se ndaj protestuesve u përdor dhunë.

“U përdorën topa të ujit dhe mjete të tjera, u goditën me shkopinj protestues paqësorë dhe u ndaluan brutalisht në akte që lartësohen në krime kundër njerëzimit, u ndal një fëmijë 10 vjec teksa dilte nga xhamia”, shtoi Berisha. 

Sipas Berishës këto protesta nuk janë tubime me interes partiak por një ndërgjejgësim për qytetarët ndaj padrejtësive

“Një thirrje kam për çdo qytetar, edhe një herë, nuk është protestë kjo as për një person apo parti, është protestë e ndërgjegjes qytetare. Kur themi janë vjedhur qindra miliona euro nuk janë vetëm të fëmijëve të atyre opozitarëve që protestojnë, por të fëmijëve të gjithëve”, tha kreun i PD. 

Sali Berisha cilësoi rininë si faktor kyç për rrëzimin e qeverisë ndërsa apeloi ndaj policisë që të shmangin dhunën në protestat e ardhshme./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›