Berisha: Qytetarët, shpresa e vetme në situatën ku ndodhet vendi

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi mbrëmjen e sotme turin e Foltores me degët 8 dhe 10 në Tiranë. Kreu i PD-së deklaroi se Shqipëria ndodhet në një nga momentet më kritike të historisë së saj demokratike, ndërsa akuzoi qeverinë për kapje të drejtësisë, korrupsion masiv dhe rrezikim serioz të procesit të integrimit evropian.
Duke iu referuar seancës në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut, Berisha tha se Kushtetuesja do të votojë për të mbrojtur zëvendëskryeministren dhe “kundër interesave më jetike të çdo qytetari shqiptar”.
Berisha nënvizoi se vendimet e fundit të institucioneve, sipas tij të diktuara nga qeveria, synojnë mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive, duke cenuar interesin publik dhe duke izoluar Shqipërinë nga Bashkimi Evropian.
“Votojnë pasi kanë marrë mesazhin se kjo çështje është një çështje themelore për ne, për ata, për Brukselin dhe kjo mund të na detyrojë të zhbëjmë nga e para procesin e integrimit të Shqipërisë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së iu kujtoi qytetarëve të pranishëm në sallë se ata në këtë situatë, ata janë shpresa e vetme. “Shpesh me të drejtë thonë: njerëzit nuk kanë shpresë, jo njerëzit janë pa shpresë, si t’ia bëjmë për shpresën”, tha Berisha.
Berisha theksoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë qenë të lira dhe të ndershme, por farsë elektorale, të mbështetur nga përdorimi i administratës, burimeve shtetërore, krimit dhe parave të paligjshme. Berisha deklaroi se një qeveri që vjen nga farsat zgjedhore dhe vjedh qytetarët nuk ka legjitimitet për të qeverisur.
“U votua. Zgjedhjet nuk i fitoi kurrë Edi Rama. Ka fituar farsën, po. Po farsat opozitat nuk i fitojnë kurrë. Farsat i fitojnë diktaturat”, tha Berisha.
Berisha solli në vëmendje edhe denoncimet ndërkombëtare, sipas tij, për zgjedhjet në Shqipëri, duke përmendur rezoluta dhe qëndrime kritike nga partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, opozita ka vepruar brenda ligjit dhe ka faktuar përpara opinionit vendas dhe ndërkombëtar shkeljet e qeverisë.
“Por ne vijmë në këtë kilometrin e fundit, dhe ta keni të qartë që ky është kilometri i fundit, vijmë pasi u kemi faktuar çdo shqiptari dhe çdo qytetari të lirë, zyrtari të lirë në Evropë dhe në botë, se Edi Rama nuk bën zgjedhje, por bën farsë. J7 rezoluta ndërkombëtare denoncuan zgjedhjet në Shqipëri dhe narkoshtetin. Pra, ne e mbrojtëm votën në kuptimin ligjor të saj” u shpreh Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke shpallur 10 shkurtin si “ditën e kryengritjes paqësore”, të cilën e cilësoi si një betejë për dinjitetin, demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë, dhe jo thjesht një përplasje politike apo partiake”.
/m.q/j.p/