Berisha: Rama dhe Balluku po prishin provat, përgjigjemi me veprime ligjore dhe protesta

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, “se kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kanë mobilizuar grupe të tëra me të cilat shkatërrojnë, falsifikojnë, manipulojnë dokumente si në dikasteret dhe agjencitë në varësi të Ballukut, ashtu dhe tek AKSHI”.
Berisha u shpreh se, “ndaj dhe po bëhet gjithçka për të bllokuar proceset gjyqësore të një rëndësie të jashtëzakonshme”.
“Edi Rama me makinërinë e tij të shkatërrimit të dokumenteve, falsifikimit dhe manipulimit, nuk mund të fshehë kurrë mbi 500 e ca kontrata sekrete”, tha Berisha.
Kreu i PD shtoi se, “përpjekja që bën Rama me Ballukun për të bllokuar procesin e drejtësisë përbën një krim permanent, krim në vazhdim për të dy ata”.
Po ashtu, Berisha theksoi se, Këshilli i Mandateve i hoqi sot imunitetin Ballukut, teksa shtoi se, mbledhja ishte plotësisht e vlefshme.
“Mbledhja është plotësisht e vlefshme”, tha Berisha, teksa shtoi se Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi “do të bëhet përgjegjës para ligjit dhe Kushtetutës për çdo pengesë që do sjellë”.
Berisha theksoi se, “kjo po ndodh para syve të shqiptarëve, kjo po ndodh para syve të komunitetit ndërkombëtar të gjithë Europës dhe botës. Po ndodh një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori”.
Ai nënvizoi se PD do t’i përgjigjet me të gjithë forcën e saj kësaj situate si me rrugë ligjore, ashtu edhe me protesta të fuqishme të ligjshme.
/gj.m/a.f/r.e/