E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Reagimi i ministrit të Jashtëm fakton se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot në një konferencë për shtyp mbi letrën që ministri i Punëve të Jashtme i ka drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri.

Berisha theksoi se ministri i Jashtëm reagoi dje në mënyrën më të papërgjegjshme.

“Për çdo qytetar shqiptar, unë shtroj pyetjen: një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre, a mund t’i dërgonte ministri i Jashtëm i vendit?

Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në, veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë”, tha Berisha.

Pra, theksoi kreu i PD, “letra e ministrit dhe reagimi i tij mbrapa, fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale”.

Berisha akuzoi gjithashtu edhe kreun e SPAK, Altin Dumanin si avokat të këtij krimi të shëmtuar.

“Ministri vetë, është bashkë me Dumanin, një avokat i këtij krimi të shëmtuar. Unë dënoj me forcën më të madhe këtë deklaratë, reagimin e tij”, tha Berisha.

“Keni parasysh sot se deputeti Asllan Dogjani është në ndjekje absolutisht pa asnjë shkak ligjor. Tani përpiqen, po merren me një problem të zgjedhjeve të vitit 2023 me aktivistin e PD, Shkëlqim Hoxha sepse disa paskan paguar disa bileta për të ardhur dhe votuar në Rrogozhinë. Pra, gjithçka bëhet për të mbuluar farsën”, u shpreh Berisha.

/gj.m//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›