E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria ka nevojë për minimumin jetik dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se qeveria është shkëputur nga problematikat me të cilat përballen qytetarët shqiptarë.

Gjatë një konference për mediet nga selia blu, Berisha u ndal te mbledhja e kabinetit qeveritar në Pogradec si dhe takimet me kryetarët e bashkive në Kuç, të cilat i cilësoi si “ahengje qeveritare”.

Berisha përmendi një sërë shqetësimesh sociale dhe ekonomike, duke përfshirë çmimet e ushqimeve, kostot e larta të qirave, vështirësitë e studentëve për strehimin dhe problemet në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.

“Në një kohë kur prej mbi 3 muajsh protestohet në rrugët e Tiranës kundër një qeverie që nuk ka legjitimitet, protestohet kundër një qeveri armike në qëndrimet e saj ndaj qytetarëve, Edi Rama ka zgjedhur ahengjet qeveritare”, theksoi kreu i PD-së.

Berisha vuri në dukje se nga mbledhja e Pogradecit, nuk u dëgjua asgjë nga nxënësit e mësuesit për vitin e ri shkollor, as nga të sëmurët për shëndetin e tyre.

“Çfarë dëgjuan mbi 30% e shqiptarëve, që janë në rrezik për kafshatën e gojës, janë të kërcënuar nga uria sipas të dhënave të fundit të FAO-s? Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se 2/3-at e rrogës së tyre? Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare”, tha Berisha.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë urgjente për vendosjen e minimumit jetik dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë.

Ai kërkoi gjithashtu subvencionimin e qirave për familjet në nevojë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Shqipëria ka nevojë urgjente për vendosjen e minimumit jetik. Të dhënat e fundit mbi kërcënimin e urisë janë kambanat më alarmuese, të cilët kërkojnë para së gjithash vendosjen e minimumit jetik dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha ushqimet bazë. Kërkojnë subvencionimin e qirave strategjike nga narkoeurot dhe narkodollarët. Kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës, i cili ka humbur çdo legjitimitet. Nuk është legjitim për shkak të farsës elektorale. Nuk është legjitim për shkak të mbrojtjes së korrupsionit dhe vjedhjeve që ka bërë”, tha Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›