Berisha: Shqiptarët rrokullisen në varfëri, udhëtimi i fundit i Ramës me avion taksi kushtoi 300 mijë euro

Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta në Kuvend ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe shpërdorim të parave publike për udhëtime luksoze me avion taksi.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Berisha deklaroi se mungesa e Ramës në interpelancat parlamentare përbën shkelje të nenit 80 të Kushtetutës dhe cenon funksionimin normal të Parlamentit.Zoti kryetar. Çështja themelore që unë dua të shtroj sot këtu është kushtetuta e vendit dhe kushtetutshmëria e seancës.
Në qoftë se për të tetën apo të dhjetën herë, shkelen në parlament neni 80 i kushtetutës, i cili detyron kryeministrin të paraqitet në interpelancë kur deputetët e kërkojnë për interesat e qytetarëve dhe ai nuk vjen, e vërteta është se parlamenti del jashtë kushteve të rendit kushtetues dhe të respektimit të kushtetutës.
Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite.
Kreu i ekzekutivit i tmerruar nga veprat e tij nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve, për krimet e rënda, për problemet madhore që mbajnë autorësinë e tij. Ndërkohë shqiptarët rrokullisen çdo muaj dhe më shumë në varfëri.
Ai fluturon në dy vite, 23 milionë euro fluturime, me avion taksi. Tani u rikthye prapë.
Mediat informojnë se në udhëtimin e fundit avioni shkon 300 mijë euro. Parlamenti bllokohet në hetimin e tij.