E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Shuarja e Komisionit të Integrimit, goditje opozitës

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se komisionet parlamentare nuk mund të reformohen pa ndryshuar rregullorja e Kuvendit.

Në një prononcim me gazetarët, Berisha e bëri këtë deklaratë duke iu referuar propozimit të kryetarit të Partisë Socialiste, njëherazi kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS për reformimin e komisioneve parlamentare.

“Ai i ka shpallur si për një institucion privat, komisionet, në një kohë kur rregullorja e parlamentit ka të përcaktuara 8 komisione. Janë të përcaktuara 8 komisione. Pa ndryshuar rregullorja – dhe rregullorja ka procedurën e vet – nuk mund të ndryshojë në mënyrë të njëanëshme. Ai është një atentat, është një provokacion i ulët ndaj opozitës”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha se shuarja e Komisionit të Integrimit është shuarje e zërit të opozitës.

“Donte të shuante me çdo kusht Komisionin e Integrimit duke besuar se në këtë mënyrë i preu mundësinë opozitës të thotë fjalën e vet në Parlamentin Evropian dhe të vendeve anëtare të BE-së. Përkundrazi, kjo jo vetëm që nuk ia pret, por kjo do t’i shndërrohet atij në një barrë shumë të rëndë. Opozita nuk humbi asgjë me të, por fakti se ky paraqitej se i kishte dorëzuar opozitës komisionin, ky kishte një lloj make up-i, e hoqi këtë nga frika e tmerrshme që ka nga fjala e lirë”, tha Berisha.

Deklarata e kreut të PD-së, erdhi pas seancës në Kuvendin e Shqipërisë, që çeli sot punimet e Legjislaturës XI.

/e.i//a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›