Berisha: Sikundër 35 vjet më parë, PD ka sot përballë një diktaturë

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, u shpreh se kjo forcë politike mbetet avokate e pamposhtur e interesave të vendit.
Berisha theksoi se “PD është nga më të paktat parti të këtij planeti që kanë ndarë epoka dhe kanë bërë histori qysh në ditën e parë të themelimit”.
“Ne jemi partia që u themeluam si parti në vendin e lirive dhe të drejtave të njeriut të ndaluara me kushtetutë. Si forca politike e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe njëherazi, forca e parë politike në Europën ish-komuniste, që kërkoi qysh në themelimin e saj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ne jemi partia e interesit kombëtar, të shqiptarëve, që shpallëm në themelimin tonë çështjen kombëtare si yllin tonë polar”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “kurrë shqiptarët nuk kanë pasur një avokate më të pamposhtur të interesave të tyre dhe mbrojtës të lirive sa Partinë Demokratike”.
“Ne jemi partia që në shtetin e parë ateist të botës, rikthyem besimet fetare të shqiptarëve. Ne jemi partia e cila pas më pak se një vit themelimi arritëm të shembim diktaturën e fundit komuniste, por dhe më teke të Europës. Ne jemi një parti e cila i dha Shqipërisë ëndrrën më të bukur të rilindasve tanë, që i dha forcën shqiptarëve të kapërcenin 45 vite shtypje. Kjo ishte epoka që hapëm me themelimin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik në Shqipëri”, shtoi ai.
Berisha nderoi po ashtu themeluesit dhe kontribuesit e PD-së ndër vite duke nisur nga Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnorin, Ali Spahinë, Bujar Nishanin, Sokol Olldashin e Genti Bogdanin.
Berisha u shpreh se “kujtimi, vepra dhe trashëgimia e tyre mbetet krenaria jonë”.
“Nderimin më të madh për guximin, kontributin, lumenjtë e sakrificave të qindra e mijëra demokratëve dhe demokrateve dhe mbështetësve tanë në këto 35 vite”, u shpreh Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi po ashtu se “PD luajti rol të pazëvendësueshëm në pavarësinë e Kosovës”.
Kreu i PD-së u ndal edhe në situatën aktuale duke theksuar se PD kur u themelua kishte përballë një diktaturë. “Sot përballë kemi një diktaturë tjetër. Jo një diktaturë komuniste, që kishte për ideologji ideologjinë marksiste-leniniste dhe indoktrinimin, por një diktaturë të bazuar në drogën, vjedhjen dhe ideologjinë post-marksiste të ekstremit të majtë”, u shpreh Berisha.
“Sot, pas 12 vitesh në pushtet, Shqipëria është populluar nga pothuaj gjysmë e popullatës së vet. Kombi ka pësuar katastrofën demografike më të madhe në tërë ekzistencën e tij. Edi Rama ka grabitur pasuritë e shqiptarëve në sasi më të mëdha se sa ç’kanë grabitur të gjithë në të gjithë historinë të marrë së bashku, të gjitha regjimet dhe pushtimet e mëparshme”, tha kreu i PD-së.
1 nga 6/m.m/j.p/