E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të gjithë tek parlamenti ditën e diskutimit të imunitetit të Ballukut

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi sot qytetarët të jenë para parlamentit në ditën e diskutimit të imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë si një moment vendimtar për angazhimin qytetar dhe transparencën institucionale.

Në fjalën e tij në Foltoren e përjavshme të PD përpara Kryeministrisë, Berisha nënvizoi se qytetarët duhet të jenë pjesëmarrës aktivë dhe të marrin përgjegjësi.

“Të jemi njerëz të qytetëruar. Të marrim përgjegjësitë tona. Të bashkohemi”, tha ai.

Berisha shtoi se qytetarët duhet të jenë të përfshirë në mbrojtjen e interesit publik dhe proceset demokratike.

“Çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar, duhet të bashkohet me ne. Nuk është e pranueshme të humbasim fatin tonë. Fati ynë është integrimi në Europë”, tha Berisha.

Ai u shpreh se pjesëmarrja e qytetarëve është thelbësore për të garantuar që proceset parlamentare të jenë të ndershme dhe transparente.

Berisha ftoi çdo shqiptar, që ditën e diskutimit në parlament të imunitetit të zv.kryeministres Balluku, të mblidhen tek parlamenti.

“Ftoj çdo shqiptar, ditën e diskutimit në parlament të imunitetit të Ballukut, të gjithë tek parlamenti. Parlamenti i qytetarëve. Parlamenti i shqiptarëve”, tha Berisha.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›