Berisha: Të hapur ndaj partive të Lapajt dhe Shehajt, por janë pseudo-opozitë

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se është i hapur për partitë e drejtuara nga Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, ndërsa u shpreh se “në fakt ata janë në pozicionin e opozitës sonë”.
Gjatë një komunikimi me mediet, Berisha tha se “ne kemi ftuar të gjitha partitë”.
“Ka një problem, opozitë dhe pseudo-opozitë, apo opozitë e opozitës. Ju e patë ku përfundoi Shabani, në gjirin e Edi Ramës. Pretendonte se është opozitë”, shtoi ai.
Berisha përshëndeti protestën e Lapajt, pasi sipas tij, jep shembull personal.
“Jemi të hapur ndaj partisë së tij, jemi të hapur ndaj partisë së zotit Shehaj, por ambiguiteti i tyre dhe krahasimi që bëjnë midis PD dhe PS, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, dëshmon se janë në një pozicion opozitë e opozitës. Se të krahasosh PD-në apo udhëheqjen e PD me të PS-së, në njëfarë mënyre direkt apo indirekt, i bën shërbim asaj partie, në një kohë kur ke qenë në këtë parti dhe i njeh shumë mirë gjërat”, u shpreh Berisha.
Duke folur mbi zhvillimet e tensionuara në seancën e fundit plenare të Kuvendit, Berisha tha se “media dhe komuniteti ndërkombëtar po priste pikërisht zërin e opozitës”.
“Natyrisht, jehona jashtëzakonisht e fuqishme e aktit të deputetëve të PD në parlament, në mediet më të mëdha në botë, siç është FoxNews, CNN, Al Jazera, dhe media të tjera, është njëkohësisht një mbështetje e fuqishme për forcat demokratike, është dëshmi e faktit se këto media dhe komuniteti ndërkombëtar, atë që po priste”, shtoi Berisha.
Ndërkohë, Berisha theksoi se “nëse pranojmë se për hir të një ministri të korruptuar të shtypet opozita për të krijuar barazi, ne pranojmë vendosjen e regjimeve autoritare”.
“Asnjë opozitar nuk ka imunitet, njëlloj si qytetarët e tjerë, por kur arreston në vit elektoral liderët e partive kryesore opozitare dhe tjetrin e vë në ndjekje penale, ti dëshmon se zgjedhjet do t’i marrësh me çdo kusht. Unë u arrestova si person nën hetim pa asnjë akuzë. Masat ndaj meje u vendosën pa më thirrur kurrë për të bërë ndonjë pyetje.
Ilir Meta u grabit dhe u keqtrajtua në mes të autostradës si person nën hetim, pa asnjë akuzë”, u shpreh Berisha.
/m.m/a.f/r.e/