E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të përgjysmohen taksat e naftës, nuk ka zgjidhje tjetër


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim virtual me qytetarët, ku u ndal fillimisht te rritja e çmimit të karburanteve.

Ai e cilësoi situatën si emergjente dhe kërkoi përgjysmimin e taksave për naftën. Sipas tij, Shqipëria renditet ndër vendet me taksimin më të lartë të karburanteve, duke krijuar një barrë të rëndë për qytetarët.

“Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të ndihmuar qytetarët, përveç përgjysmimit të taksës së naftës 1.1 euro që nuk ekziston askund në botë. Zgjidhja që kërkon t’i jap Rama është një zgjidhje mashtrim”, tha Berisha.

Në vijim, Berisha u ndal te procesi i integrimit europian, duke deklaruar se vendi nuk po bën progres në luftën kundër korrupsionit dhe se pengesat nga shtetet anëtare mund të shtohen.

“Procesi i integrimit për momentin është në vend numëro, por nëse vazhdohet ky qëndrim jo vetëm që do rri aty ku është, por do kthehet mbrapa me ndëshkime të rënda”, tha Berisha.

Në fund, Berisha u shpreh se protestat kanë sjellë rezultate, megjithëse nuk kanë arritur largimin e Ramës, dhe paralajmëroi vijimin e tyre në mënyrë paqësore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›