Berisha: Të rinjtë, boshti kryesor i arritjes së objektivave të PD-së

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me 71 të rinjtë dhe të rejat e zgjedhur në Këshillin Kombëtar të PD-së, në kuadër të nismës “Ri(ni)përtëritje”.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Antonio López-Istúriz White, europarlamentar, anëtar i PPE-së dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Partive Popullore Europiane.
Në fjalën e tij Lopez-Isturiz theksoi se “të gjithë janë pro Shqipërisë në BE, por ngrenë dyshimin, a mund të kemi Ramën në Këshillat Europiane”.
Nga ana e tij, Berisha vlerësoi se Antonio López-Istúriz ka mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe ka ndjekur zhvillimin e kësaj partie dhe të këtij vendi në ditët më të vështira, duke qenë një mbrojtës i palëkundur i kauzave të demokratëve.
Duke iu referuar nismës “Ri(ni)përtëritje”, Berisha shprehu bindjen se të rinjtë janë ata që do të kontribuojnë në ripërtëritjen e PD-së.
“Ju do të jeni boshti kryesor i arritjes së objektivave tanë. Kjo është audienca e shpresës për partinë dhe për vendin. Kuvendi që zhvilluam ishte një Kuvend ripërtëritje. Vizioni juaj është vizioni më i mirë për partinë. Ne qëndruam për modernizimin e partisë dhe askush nuk mund të kontribuonte më shumë se ju në modernizimin e partisë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se të rinjtë mund të bëhen boshti kryesor i arritjes së të gjitha objektivave të PD-së.
Nga ana tjetër kreu i PD-së u shpreh se duhet kuptuar se “sa të rrezikshëm janë kundërshtarët, sepse ata janë armiq të lirisë së shqiptarëve”.
“Dhe ne duhet të luftojmë. Dhe do të luftojmë, do të luftojmë dhe do të fitojmë.
Por ju keni një rol shumë të rëndësishëm për t’u bërë flamuri i suksesit dhe fitores së Partisë Demokratike. Jam plotësisht i bindur se ju do ta bëni këtë”, tha ai, duke iu drejtuar të rinjve.
/m.m/r.e/