E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Tërhiqemi nga procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se PD tërhiqet totalisht nga procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Në një konferencë për mediet nga selia blu, Berisha duke iu referuar vendimit të Komisionit të Ligjeve që dërgoi në seancë plenare gjashtë kandidatë garues për pozicionin e Avokatit të Popullit, edhe pse deputetët e PD votuan kundër, duke deklaruar tërheqjen e firmave për kandidatët garues, Berisha tha se kjo është një “lojë e turpshme”.

“Opozita ka tërhequr të gjitha firmat për të gjithë kandidaturat e tjera, përveç kandidaturave të përzgjedhura vetë, të cilat janë Besim Ndregjoni, Adriana Kalaja, Jola Hysaj, Aranita Brahaj, Haluci, Dardan Mustafa. Këta janë kandidaturat tona.

Tani çfarë bënë sot? Sot futën kandidaturën e tyre, i cili në kuadrin e 27 kandidaturave, kishte marrë firmat. Por ne i tërhoqëm firmat. Dhe Ulsi Manja me Taon (Taulant Balla) thonë se nuk njohim tërheqjen e firmave, arrijnë gjer në këtë deklaratë të turpshme për të nxjerrë atë që thotë Edi Rama. Kështu që ne tërhiqemi totalisht nga procesi”, tha Berisha.

Sipas tij, PD nuk është më palë në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

“Në qoftë se ia lënë PD-në, ne u treguam të arsyeshëm, ne nuk thamë ose ky, ose asnjë tjetër. Ne paraqitëm disa kandidatura, ata shtuan kandidaturën e tyre. Është Endri Shabani.
PD tërhiqet nga procesi. PD nuk merr pjesë në proces. Ky është një turp i tyre.

Para katër ditësh siç e dini ju deklaruan se ia lamë opozitës, ia lamë PD-së, dhe tani thonë nuk njohim tërheqjen e firmave. Firmat janë të tërhequra dhe ne nuk marrim pjesë në proces…Gjersa ne kemi zgjedhur këta, natyrisht secili prej tyre ka besimin tonë”, shtoi Berisha.

“Por në renditje është Besim Ndregjoni, i cili është paraqitur për votim në parlamentin e shkuar, siç e dini ju. Është Adriana Kalaja, që plotëson çdo kriter për të qenë. Është Jola Hysaj, një e re me energji të madhe në këtë fushë, e vendosur për të drejtat te njeriut.
Është Aranita Brahaj, janë edhe zoti Haluci dhe Dardan Mustafa. Pra, ne kemi kandidatura shumë të mira”, theksoi Berisha.

Ai nënvizoi se PD nuk merr pjesë në votim, duke e cilësuar atë si “farsë”.

Berisha: Paqja Fiskale rrit rrezikun e pastrimit të parave

Berisha gjatë konferencës për mediet ku shprehu kundërshtimin ndaj projektligjit të qeverisë për të ashtuquajturën “Paqe Fiskale”.

Ai deklaroi se nisma krijon hapësira për pastrim parash, shmangie fiskale dhe mungesë transparence në administrimin e detyrimeve tatimore të bizneseve.

Berisha theksoi se projektligji është votuar në parim në parlament, ndërsa dy vite më parë ishte kundërshtuar nga SHBA, BE dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

“Një ligj, të cilin qeveria e SHBA, BE, por edhe vendet e tjera partnere, e kundërshtuan në mënyrën më të prerë para dy vitesh, Edi Rama e ka votuar në parim në parlament”, tha Berisha.

Sipas tij, amendamentet e paraqitura nga opozita në komisione janë rrëzuar, çka sipas tij tregon se qeveria nuk ka marrë parasysh qëndrimet dhe paralajmërimet e opozitës.

Berisha theksoi se, “në këtë ligj ka mungesë të plotë të transparencës për opinioni publik dhe komunitetin e ndershëm të biznesit”.

Ai shtoi se, “FMN ka paralajmëruar më parë qeverinë shqiptare për rreziqet e mëdha të kësaj amnistie. Banka Botërore gjithashtu”.

Kreu i PD tha se, “janë 200 mijë biznese që përfitojnë, nga të cilat 80 mijë janë aktive”.

“Ne kërkuam të bëhen publike 3 mijë bizneset që përfitojnë si dhe çdo emër biznesi që përfiton më shumë se 50 mijë euro, por edhe kjo u refuzua në mënyrë kategorike, sepse duhet që të lahen lirshëm miliardat e drogës për të shkatërruar, për të intoksikuar përfundimisht ekonominë shqiptare”, tha ai.

Berisha gjithashtu u shpreh se, është refuzuar kërkesa e opozitës që nga falja të mos përfitojnë bizneset, pronarët e të cilave kanë biznese të tjera fitimprurëse.

Berisha nënvizoi se, BE ka shprehur shqetësim serioz për këto ligje.

“Komisioni Europian, nënkomiteti për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Taksat midis BE dhe Shqipërisë, ka bërë një deklaratë në të cilën shpreh shqetësimet më serioze për këto ligje – dhe mund ta gjeni në faqen e Komisionit Europian – kërkon rishqyrtimin e menjëhershëm të tyre”, tha kreu i PD.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›