Berisha: T’i japim mbështetje masive lëvizjes së gjeneratës së re

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot mbështetjen për lëvizjen e gjeneratës së re, e cila sipas tij, “nuk ndalet pa e rrëzuar këtë qeveri”.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se misioni historik i kësaj partie është rikthimi i votës së lirë të shqiptarëve dhe rotacionit të pushtetit.
“Këshilli ynë Kombëtar mblidhet në një nga kohërat më interesante, më të veçanta të tërë historisë së pluralizmit politik. Një lëvizje e fuqishme si një zgjim i vërtetë i gjeneratës së re, apo gjeneratës Z, ka shpërthyer në Shqipëri si një lëvizje çlirimtare. PD, e cila zhvilloi një betejë epike, të pashembullt në historinë e një vendi për të mbrujtur sovranitetin e brendshëm apo opozitën e vërtetë, ka mirëpritur dhe mbështetur fuqimisht këtë lëvizje të një rëndësie të jashtëzakonshme”, tha Berisha.
Sipas Berishës, gjenerata e re ka në dy dekadat e fundit rekordet e betejave më të rëndësishme të fituara.
“Ishte kjo gjeneratë që shpëtoi vendin nga mbeturinat e armëve kimike, të cilat i premtoi Edi Rama me vizitën e tij të parë në OKB. Shqiptarët u mbetën mirënjohës pafundësisht atyre. E vërteta është se ajo ishte beteja kryesisht e gjimnazistëve shqiptarë. Ata gjimnazistë, dhe studentë më vonë, me një ndjeshmëri, me një pastërti, me ideale, kur panë se vendi vendosej para një rreziku papritmas ata u derdhën në rrugë dhe e detyruan të anulonte vendimin e tij”, shtoi Berisha.
Berisha theksoi se është tradhti ndaj idealeve të lirisë po të mos mbështesësh këtë lëvizje të gjeneratës së re.
“PD ka mbështetur dhe e mbështet fuqimisht këtë lëvizje dhe do shumëfishojë përpjekjet e saj për sukseset e saj. Asnjë njeri nuk duhet të gabohet nga ndonjë slogan i tyre, që nuk është i tyre. Asnjë njeri nuk duhet të gabohet nga thirrjet e tyre. Imagjinoni ju një uragan dhjetëra mijëra vetë në variantin aty ku 1 mijë janë armiq tanë dhe që kërkojnë atë që kërkojmë ne, rrëzimin e qeverisë”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se në protestë ka njerëz, të cilët kanë humbur pronën dhe protestojnë për pronën dhe kanë 100 herë të drejtë të protestojnë.
“Ka të tjerë që kanë përjetuar padrejtësi të tjera dhe kanë 100 herë të drejtë të protestojnë për padrejtësitë. Por korpusi është korpusi i gjeneratës Z, është korpusi i idealeve më të larta njerëzore. Ata protestojnë kundër një të keqe të madhe që ka pushtuar Shqipërinë dhe shqiptarët dhe që po i shkatërron ata. Kjo gjeneratë vjen si një bekim për shqiptarët”, shtoi ai.
Berisha bëri thirrje për çdo shqiptar, të mos humbasë shansin historik për t’u dhënë një ndihmë kësaj gjenerate që po lufton jo për Shqipërinë e sotme, por për Shqipërinë e ardhme.
“Është tradhti ndaj idealeve të lirisë po të mos mbështesësh këtë lëvizje. Përshëndes ata qindra dhe mijëra demokratë të cilët lanë çdo gjë nga Tirana dhe rrethet dhe rreshtohen aty si qytetarë në protestë. Është jetike mbështetja, por meqenëse ata janë të rinj dhe janë brezi dixhital, të gjitha rrjetet sociale duhet të jenë në mbështetje të tyre”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se është detyra më parësore që si qytetarë të bëjnë gjithçka që lëvizja rinore, lëvizje e përgjegjësisë qytetare të triumfojë.
“Të rinj, që marshojnë me orë të tëra rrugëve të Tiranës, në një marsh të vërtetë lirie, është kënaqësi e madhe, është nder dhe dinjitet për çdo qytetar që vendos t’u bashkohet atyre në atë marshim, në atë uragan”, shtoi ai.
/m.m/a.f/r.e/