Berisha: “Tren bullgar” në Elbasan! Kreu i PD thotë se janë gjetur fletë votimi e lista votuesish në një lokal

Partia Demokratike akuzoi mazhorancën së në zgjedhjet ë 11 majit përdori skemën e “trenit bullgar” për të deformuar rezultatin në qarkun e Elbasanit, duke kërkuar qeveri teknike e zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Kandidati i PD në këtë qark, Bledi Himçi, ka shkuar sot në një lokal në fshatin Pekisht, në pronësi të kryeplakut të fshatit, Dervish Beqiri, vëzhgues i PS, ku ka gjetur fletë votimi, lista zgjedhësish e një sasi parash, euro dhe paund.
Kryetari i PD, Berisha, i shoqëruar nga Tomor Alizoti e Bledi Himçi, kanë treguar pamjet e filmuara në këtë lokal, duke pretenduar së të gjitha këto materiale janë përdorur për të blerë dhe kontrolluar votën.
“Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Krimineli në krye të bashkisë është mentori i kriminelëve të tjera për të realizuar ‘trenin bullgar’ në mënyrën më antiligjore, më antikushtetuese”, tha Berisha.
Treni bullgar është një metodë e përdorur në Bullgari në vitin 2009, dhe sipas kësaj metode, jashtë qendrës së votimit i jepet zgjedhësit një fletë e plotësuar, duke i kërkuar të hedhë në kuti këtë fletë votimi e të nxjerrë jashtë fletën që i ka dhënë komisioni, të paplotësuar, duke krijuar kështu zinxhirin e kontrollit të votës. PD deri tani ka denoncuar se kjo metodë është përdorur në Tiranë, Fier e Elbasan.
“Ata që mendojnë se mund të imponojnë qytetarëve shqiptarë në këtë mënyrë vullnetin e tyre dhe mund të qëndrojnë mbi karrige, gabojnë shumë, shumë rëndë. Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është emergjente, krijimi i një qeverie teknike, zhvillimi i zgjedhjeve të reja, shqiptarët votojnë të lirë”, tha Berisha.
Për këtë rast, PD ka thirrur policinë, por nuk ka shkuar të bëjë denoncim në SPAK, pasi, sipas Berishës, Prokuroria e Posaçme arkivon çdo dosje për qeverinë.
“E ka marrë vesh çdo shqiptar, që ata i fusin në turshi. Kanë hapur ca kazanë të mëdhenj që i fusin në turishi. Çdo dosje për qeverinë e fusin aty”, tha kreu i PD.
Berisha akuzoi SPAK-un edhe për operacionin “Ura” të zhvilluar një ditë më parë, pasi, sipas tij, Prokuroria e Posaçme qëllimisht e shtyu nisjen e operacionit pas zgjedhjeve, për t’u dhënë kohë bandave të ndikonin në rezultatin e 11 majit./vizionplus.tv