E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha akuzon Arkend Ballën: Kandidati i PS ka punuar për bandën e Troplinëve në Durrës

Pas 4 dite mungesë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu rikthye komunikimit me gazetarët për të denoncuar procesin zgjedhor të 11 majit.

“Kisha një gjendje virale e cila kaloi pa asnjë ndërlikim të veçantë”, tha Berisha.

Berisha sot u fokusua te një nga deputetët më të votuar të Partisë Socialiste më 11 maj, Arkend Balla, i cili sipas kryetarit të PD-së Berisha është mbështetur nga bandat e Troplinëve në Durrës.

Për të mbështetur këtë akuzë, Berisha vuri në dukje se vetë Arkend Balla në deklaratën e tij të pasurisë sqaron se ka punuar për dy vite në kompaninë “Nisatel”. Kjo kompani sipas Berishës zotërohet nga Sadrit Danaj.

“Sadriti është vëllai i Nexhmedin dhe Vexhi Danaj. Nexhmedin Danaj pas një hetimi 5-vjeçar të Antimafias Italiane është akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim me shtetasin Elvis Doçi apo Visi i Pojës. I punësuari Arkend Balla në këto kompani, siç e shihni, nuk është pra rastësisht deputeti më i votuar sepse është deputeti më i investuar i klanit Troplini”, tha kreu i PD-së.

Kryetari i PD, Berisha komentoi edhe rinumërimin duke sjellë në vëmendje se ky është një proces në të cilin PD mbështeti kërkesën e kandidatëve të saj për transparencë.

“Për PD-në vota ka vdekur pa hyrë në kuti”, tha ai.

Deri tani beteja e PD-së për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet është rrëzuar nga KAS dhe Kolegji Zgjedhor për 4 qarqe./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›