E Premte, 6 Nëntor 2026

Berisha fton Shehajn, Qorin dhe Lapajn: Të bashkohemi kundër Ramës - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar publikisht drejtuesit e forcave të reja politike, Agron Shehajn, Arlind Qorin dhe Adriatik Lapajn, për bashkimin e opozitës me synim largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Në një intervistë televizive, Berisha deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo aktor politik që ka si qëllim largimin e Ramës nga qeverisja, duke theksuar se nuk ka paragjykime ndaj asnjë force opozitare.

“Unë shfrytëzoj sërish rastin dhe i ftoj që të bashkohemi. Bashkohem që nesër! Me cilindo që bashkohet, që të largojmë Ramën nga pushteti. Me cilindo njeri. Ne nuk ftojmë me paragjykime. Me të gjithë takohem, nuk kam asnjë lloj paragjykimi”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së komentoi edhe mundësinë e një lidershipi të ri në parti, duke deklaruar se do të largohet nga drejtimi vetëm në rast se do të ketë pamundësi fizike ose mendore për të ushtruar detyrën.

“Momentin që unë të ndjej pamundësinë më të vogël fizike në detyrimet e mia fizike ose mendore, absolutisht, me lehtësi dhe pa vështirësi do të them ‘Goodbye’”, deklaroi ai.

I pyetur nëse Belind Këlliçi mund të jetë një drejtues i ardhshëm i PD-së, Berisha tha se gara për drejtimin e partisë mbetet e hapur, por nuk përcaktoi një afat për largimin e tij.

Berisha u ndal edhe te rikthimi i tij në krye të Partisë Demokratike, duke iu referuar përplasjes së mëparshme me Lulzim Bashën. Ai theksoi se vendimi për t’u rikthyer erdhi pasi konstatoi se po synohej marrja nën kontroll e partisë.

“U riktheva për dinjitetin tim, për dinjitetin e Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së foli edhe për motivimin e tij për të vijuar aktivitetin politik, duke e cilësuar përballjen me kryeministrin Rama si një nga periudhat më interesante të karrierës së tij politike.

“Unë nuk jam demon pushteti. Unë kam pasur të gjitha pushtetet. Po tani luftoj me një përkushtim. Këto vite kanë qenë vitet më interesante të jetës sime, sepse beteja kundër një diktature të dytë është jashtëzakonisht motivuese”, tha Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama se po synon të qëndrojë në pushtet me çdo kusht, duke e krahasuar situatën politike në Shqipëri me fundin e regjimit komunist dhe zhvillimet në Rumani.

/gj.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›