Berisha fushatë me Belerin/ Kreun e PD e kap entuziazmi në Selanik: Krenar për LaCivita

Sali Berisha doli këtë të dielë jashtë shtetit, për një takim me emigrantet në Selanik. Por, sa herë doktori shkon në Greqi, pas ka Fredi Belerin, të cilin e kalon gjithmonë në plan të parë.
“Duhet të pranojmë se akti i dy viteve më parë, i narkodiktatorit të Tiranës, Edi Rama ndaj eurodeputetit Fredi Belerit është një nga aktet më të shëmtuara në historinë e demokracive evropiane. Rama përdori truket e vjetra të sigurimit të shtetit, të njëjtët elementë për t’i rrëmbyer mandatin që i dhanë Fredi Belerit qytetarët e Himarës, kjo vetëm se Fredi Beleri nuk pranoi të shitej, të kandidonte për Edi Ramën. Jo i tha, unë jam i djathtë dhe nuk tradhtoj parimet e mia”, tha Berisha.
Kurse në plan të dytë, la turistin nga Korça, që falë Ramës, është kthyer tashmë në superstratin e fushatës së tij, Ilir Vrenozi.
“Rama mendoi se do blinte Vrenozin, jo. Vrenoz, ty nuk të bleu. Tregove që je shqiptar i vërtetë. Dhe unë të falenderoj shumë.”
Por shpejt u kujtua se për këtë fushatë, Berisha Vrenozin e ka falas, kurse La Civitën me pagesë.
“A e keni parë ju me kë bëjmë ne fushatë, ne bëjmë me Kris La Civitën, Rama e bën me Vullnet Sinajn.”
Entuziazmi e kapi edhe këtë herë doktorin. Me premtime dhe ngatërresa madhështore.
“Makinën e parë ju do ta sillni pa taksa, në Shqipëri. Rrogën mesatare rritet në 500 euro, më falni 1200 euro, se ajo është minimalja. Rrogën mesatare 1200 euro.”/abcnews.al