Berisha me grupin parlamentar: Problematikat e qytetarëve të përkthehen në nisma konkrete ligjore

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar se, Partia Demokratike hyn në një etapë të re pas Kuvendit Kombëtar, duke theksuar se prioritetet kryesore të kësaj faze janë “ripërtëritja, vizioni, modernizimi dhe organizimi”.
“Ne, pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re, në një kohë të re, në të cilën kërkohet që çdonjëri prej nesh të përsërisë nga mëngjesi në darkë, jo një, por qindra herë fjalën: ripërtëritje, vizion, modernizim, organizim”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se kjo platformë duhet të udhëheqë punën e çdo drejtuesi dhe deputeti të partisë, duke e cilësuar si rrugën e vetme për përmbushjen e misionit politik të PD-së.
“Rruga e vetme e përmbushjes së misionit tonë kalon në këto drejtime. Kilometri i fundit i maratonës sonë do mund të përshkohet me sukses vetëm atëherë kur ne, në radhë të parë ne si deputetë, pas të gjithash ne si deputetë, ne si drejtues dhe më pas drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Demokratike në çdo nivel, do ndalen t’i përsërisin vetes këtë moto”, deklaroi ai.
Berisha theksoi se opozita duhet të forcojë veprimin politik dhe organizativ përballë qeverisë.
“Kjo është rruga e sigurt që ne të përballemi me sukses me pushtetin dhe regjimin e kalbur të Edi Ramës. Kjo është rruga e sigurt e transformimit të opozitës, e vitalizimit të saj, e mbjelljes kudo të shpresës për shqiptarët”, u shpreh ai.
Sipas tij, objektivi final mbetet rikthimi i votës së lirë dhe fitorja elektorale.
“Rruga e cila çon Partinë Demokratike në përmbushje të plotë të misionit të saj, rikthimit të votës së lirë dhe fitores së saj në zgjedhjet e përgjithshme”, tha Berisha.
Ai nënvizoi se opozita duhet të rrisë komunikimin publik dhe të mbrojë programin e saj politik.
“Nuk janë dhe nuk do të jetë askush tjetër përveç nesh që do zhvillojmë, do promovojmë vizionin e kësaj partie. Nuk është askush tjetër përveç nesh që do modernizojë në çdo segment këtë parti. Nuk është askush tjetër përveç nesh që do riorganizojë plotësisht Partinë Demokratike”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha theksoi gjithashtu nevojën për përkthimin e problematikave të qytetarëve në nisma konkrete ligjore.
“Ne duhet të transkriptojmë në ligje, të gjitha problematikat e mëdha me të cilat përballen qytetarët, me të cilat përballen prodhuesit, me të cilat përballen fermerët”, tha ai.
Ai solli si shembull edhe kostot për bizneset.
“A mund ta imagjinoni ju se çfarë gjobë të tmerrshme iu marrin atyre për ambalazhet? Vetëm për ambalazhin, për arkat. Një sistem hajdutësh, i shndërruar në rregulla se si e si të rëndojnë mbi ta”, tha Berisha.
Berisha tha se opozita do të hyjë në një fazë të re veprimi politik.
“Ndaj dhe ne kemi këtë platformë dhe mbi bazën e saj opozitarizmin në Shqipëri do ta ngremë në një nivel të ri, të paparë ndonjëherë më parë”, u shpreh Berisha.
/gj.m/j.p/r.e/