E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në Kukës: Do të bëjmë gjithçka të forcojmë familjen

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot  kandidatët e PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në qytetin e Kukësit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri edhe një program të aleancës “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Berisha tha se “Kukësi, Hasi, Tropoja, por edhe mbarë Shqipëria, kanë në historinë e tyre, kanë në trashëgiminë e tyre akte ndër më madhështoret”.

“Kanë në trashëgiminë e tyre pasuri ndër më përralloret. Kanë realisht potenciale nga më të jashtëzakonshmet për të cilat nuk mund t’i kenë lakmi askujt”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës “projekti i Shqipërisë Madhështore bazohet në një trashëgimi madhështore që kemi ne”.

“Këtë projekt ne e nisim me shtetin patriotik, me shtetin patriot. Shteti patriot është shteti i burrave dhe grave që e duan dheun e tyre, e duan vendin e tyre”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha kërkoi edhe votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Jam këtu në emër të tuaj për t’u përcjellë një mesazh vëllazëror të gjithë emigrantëve, të gjithë bijave dhe bijve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës në emigracion, asnjë votë për këtë armik të kombit. Votoni për vlerat që përjetoni në vendet tuaja”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “ky program është programi që bazohet tek djepi, aty ku kemi lindur, jemi rritur, jemi edukuar, te familja shqiptare, familja kuksiane, hasjane, tropojane, që është shenjtëri në vetvete, që mëkon tek fëmija dashurinë për vendin, respektin për prindin, respektin për njeriun”.

Berisha tha se “ne do bëjmë gjithçka që këtë familje ta forcojmë, ta mbështesim, ta ndihmojmë”.

“Do bëjmë gjithçka që autoriteti i saj të bëhet gjithnjë e më i madh, fuqia e saj edukuese të jetë edhe më e madhe. Do bëjmë gjithçka që nëna shqiptare, vigane, të ketë mbështetjen më të fuqishme në mënyrë të të rrisë fëmijët e saj pa mundime. Do subvencionojmë çdo fëmijë, të parin me 70 euro, të dytin me 60 euro, të tretin nga lindja gjer 23 vjeç 100 për qind nga shteti”, tha Berisha.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›