E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në PPE: Tolerancë zero ndaj krimit, e vetmja rrugë për të shpëtuar vendin

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në Grupin e Partive Popullore Evropiane (PPE) në Strasburg, ku theksoi se “Shqipëria është nën diktaturë, ku krimi dhe korrupsioni janë të përhapura dhe lidhjet ndërmjet politikës dhe krimit janë të thella”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal tek zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se toleranca zero ndaj krimit është e vetmja rrugë për të shpëtuar vendin.

Kreu i PD-së foli mbi arrestimin e liderëve të opozitës, duke përfshirë edhe arrestimin e tij, që e quajti politik, pa asnjë provë dhe fakt, arrestimin e kryetarit të PL, Ilir Meta dhe përfshirjen në proces gjyqësor për një çështje të gjykuar 15 vjet më parë të kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Berisha nënvizoi më tej se “Edi Rama ka përdorur krimin për të mbajtur pushtetin, duke manipuluar zgjedhjet dhe shpërndarë para për vota”.

Kryetari i PD kërkoi ndihmën e institucioneve ndërkombëtare për të luftuar këtë regjim dhe për të shpëtuar Shqipërinë, siç u shpreh ai, nga krimi dhe korrupsioni.

Drejtuesi i opozitës Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, foli edhe për arrestimin e Ervin Salianjit, të cilin e cilësoi si një njeri guximtar që publikoi një përgjim që zbërthente lidhjet e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me trafikun e drogës.

“Përpjekjet për të ndaluar Salianjin ishin të vazhdueshme, duke e akuzuar për dëshmi të rreme, megjithëse ai kurrë nuk kishte dorëzuar asnjë provë të rreme”, deklaroi ai.

Berisha gjithashtu iu referua çështjes së Fredi Belerit, duke e cilësuar arrestimin e tij si një hakmarrje për refuzimin e tij për t’u bërë kandidat i Ramës dhe si një veprim të shëmtuar për të shtypur të drejtat e qytetarëve të Himarës.

Kryetari i PD, Sali Berisha, theksoi se “PD ka respektuar gjithmonë të drejtat e minoriteteve, sidomos të drejtën e pronësisë, dhe kërkoi që këto shkelje të bëhen publike dhe të hetohen”.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha kërkoi një Komision të të Vërtetës për të zbuluar lidhjet ndërmjet krimit dhe politikës dhe theksoi se Shqipëria duhet të respektojë plotësisht standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe minoritetet.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›