Berisha për protestën: Asnjë pushtues nuk ka vendosur një shtetrrethim të tillë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi ditën e sotme se masat e marra nga Policia për mbarëvajtjen e protestës para Kuvendit i ngjajnë një shtetrrethimi.
Berisha tha në deklaratën për gazetarët se “një shtetrrethim i tillë nuk është vendosur nga asnjë pushtues dhe në asnjë vend”.
“Kjo është historia më e turpshme. Një vend anëtar i NATO-s vendos një shtetrrethim të tillë ndaj qytetarëve sikur të ishte Koreja e Veriut. U them sot se qindra e qindra traktorë, zetorë që janë nisur nga të katër anët e Shqipërisë janë bllokuar me urdhër rrugëve, kërcënuar me konfiskim dhe kthyer në mënyrë që të mos mund të shprehin solidaritetin me protestën më të fuqishme të 35 viteve të fundit”, vijoi ai.
Protesta e qytetarëve ka nisur mëngjesin e sotëm përpara godinës së Parlamentit, për t’u shpërndarë në pika të ndryshme të kryeqytetit, nga xhamia e Namazgjasë, te rruga e Elbasanit dhe sheshi “Skënderbej”.
/e.i/a.f/