Berisha për zhvlerësimin e euros: 89% e bizneseve raportojnë ndikim negativ në aktivitetin e tyre - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha publikoi sot në një konferencë për mediet të dhëna që, sipas tij, tregojnë ndikimin negativ të zhvlerësimit të euros në ekonominë shqiptare, duke iu referuar një ankete të revistës “Monitor”.
Berisha tha se, sipas rezultateve të anketës, 89% e bizneseve të pyetura e vlerësojnë si negativ ndikimin e zhvlerësimit të euros në aktivitetin e tyre, ndërsa 67% e individëve të anketuar shprehen se ky zhvlerësim ka ndikim negativ në ekonominë dhe jetën e tyre.
Duke iu referuar përgjigjeve për ndikimin e euros në ekonominë vendase, ai tha se 29% e të anketuarve e vlerësojnë ndikimin si “shumë të keq”, ndërsa 45% si “të keq”.
Sipas shifrave të paraqitura prej tij, 16% e të anketuarve e vlerësojnë ndikimin pozitivisht dhe 5% thonë se nuk ka ndikim.
Kreu i PD-së u ndal edhe te pasojat që, sipas tij, zhvlerësimi i euros ka sjellë për bizneset.
Ai tha se 13% e të anketuarve kanë raportuar rritje të kostove, 38% kanë deklaruar ulje të të ardhurave, ndërsa 49% kanë evidentuar përkeqësim në të dyja drejtimet.
Berisha theksoi se zhvlerësimi i euros nuk mund të shpjegohet vetëm me rritjen e numrit të turistëve.
Për këtë, ai krahasoi kursin e këmbimit në vite të ndryshme, duke thënë se në vitin 2007, kur Shqipëria kishte rreth 1,8 milionë turistë, euro këmbehej me rreth 120 lekë, ndërsa në vitin 2022, kur sipas statistikave zyrtare numri i turistëve arriti në rreth 9 milionë, kursi ishte rreth 127 lekë.
Sipas Berishës, këto të dhëna tregojnë se fluksi turistik nuk është i vetmi faktor që ndikon në kursin e këmbimit.
Ai shtoi se, zhvlerësimi i euros lidhet edhe me hyrjen e parave me burim nga aktivitetet kriminale, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të analizojnë ndikimin e tyre në ekonomi.
Berisha foli edhe për depozitat në valutë. Ai tha se depozitat në dollarë janë rritur nga 102 milionë në vitin 2020 në 107 milionë në vitin 2025, ndërsa kursi i këmbimit të dollarit ka zbritur nga 100,8 në 82,46 lekë.
Sipas përllogaritjeve të tij, duke marrë në konsideratë depozitat në euro dhe dollarë, qytetarët kanë pësuar humbje prej rreth 250 miliardë lekësh nga zhvlerësimi i valutave.
Kreu i PD-së reagoi edhe për politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, duke pretenduar se ndërhyrjet në tregun valutor dhe shtimi i parasë në qarkullim kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.
Ai tha se Banka ka hedhur në treg rreth 90 miliardë lekë për blerjen e euros, duke theksuar se kjo ka ndikuar në fuqinë blerëse të qytetarëve.
Berisha deklaroi gjithashtu se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur gjashtë herë më shumë se në Bashkimin Europian dhe se hendeku mes çmimeve dhe pagave po thellohet.
/gj.m/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
