Berisha përkujton Azem Hajdarin: Pluralizmi për të cilin luftuan studentët, sot i shtypur

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot homazhe në përkujtim të heroit të demokracisë, Azem Hajdari, i vrarë 27 vite më parë pranë ish-selisë së PD-së.
Homazhet u zhvilluan te memoriali i Azem Hajdarit, pranë qendrës Toptani dhe të pranishëm ishin familjarë të tij, kreu i PD-së Sali Berisha si dhe deputetë demokratë.
Ata vendosën kurora me lule në memorialin në nder të tij.
Në fjalën e tij, Berisha tha se sot pluralizmi për të cilin luftuan studentët liberatorë është shtypur.
“Idealet e Azem Hajdarit, sot janë më kushtruese, më ftuese se kurrë që nga viti 1990 e gjer në këtë moment, mbasi Shqipëria është zhytur sot në formën më të shëmtuar të diktaturave, që është diktatura e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
“Sot pluralizmi për të cilin Azem Hajdari dhe studentët liberatorë ecën drejt sakrificave sublime, për rivendosjen në Shqipëri të pluralizmit, de fakto është i shtypur, i dhunuar”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se Partia Demokratike dhe demokratët do të luftojnë për kthimin e votës së lirë.
“Sot është një ditë betimi do të thosha për çdo demokrate e demokrat shqiptar, për çdo deputete dhe deputet të PD, për çdo drejtuese dhe drejtues të kësaj partie dhe mbështetësit e saj, që të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë, për të çliruar Shqipërinë, për të shpëtuar pluralizmin, për të shpëtuar votën e lirë, për të rikthyer votën e lirë, për të shpëtuar fjalën e lirë”, tha Berisha.
Azem Hajdari u vra me armë zjarri pranë ish-selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, më 12 shtator të vitit 1998, në moshën 35-vjeçare.
Hajdari i ishte një nga qëndrestarët e parë kundër regjimit komunist dhe udhëheqësi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës.
/m.q/j.p/