E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha prezanton programin e PD: Fokusi ekonomia dhe lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi sot në Kuvendin Kombëtar të PD-së, programin politik, duke theksuar se ekonomia, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë shtyllat kryesore të qeverisjes së ardhshme.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se prioritet i parë do të jetë lufta kundër varfërisë, përmes vendosjes së minimumit jetik, rritjes së pensioneve dhe përmirësimit të pagave. Ai premtoi se synimi i PD-së është që shqiptarët të kenë pagat dhe pensionet më të larta në rajon.

Berisha premtoi gjithashtu më shumë mbështetje për familjet, duke theksuar se pagesat për fëmijët dhe minimumi jetik do të sigurojnë mbrojtje sociale për shtresat më të prekura. Sipas tij, nënat do të përfitojnë pagë të plotë gjatë gjithë periudhës së lejes së lindjes.

“Minimumi jetik, dyfishim dhe trefishimin e pensioneve, me një objektiv, unë nuk them se do kapim Gjermaninë, se do kapim Italinë apo Francën, por them se do të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet sepse kemi qenë, sepse ishim. Pra, vizioni ynë është shqiptarët më të paguarit dhe i garantoj të gjithë rrogëtarët në këtë vend se ata do paguhen më mirë se të gjithë të tjerët në këtë rajon.

“Se me pagesat për fëmijët dhe minimumin jetik, asnjë fëmijë nuk do jetë i kërcënuar në Shqipëri. Jo! Jo vetëm fëmijët, por nënat, merr fund gjysmërroga me lejet e lindjes. Rrogë e plotë për të gjithë periudhën”, tha Berisha.

Një tjetër fokus i programit, sipas Berishës, janë të rinjtë, për të cilët ai premtoi më shumë mundësi për arsimim, punësim dhe strehim, me synimin që ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Në sektorin e bujqësisë, kreu i PD-së deklaroi se fermerët do të përfitojnë subvencione disa herë më të larta se aktualisht, duke argumentuar se ata kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë e vendit, por marrin mbështetje të pamjaftueshme nga shteti.

“Të rinjtë shqiptarë, PD me programin e saj ka vetëm një qëllim dhe ndër më kryesorët, ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri. Por që ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri, ata duan studime, duan punësim, duan strehim. Ne zotohemi në përparësi absolute në qëndrimin ndaj tyre.

“Fermerët, që tani braktisin pasivisht fermat e tyre nga falimentimi, i garantoj se ata të cilët japin 20 përqind të prodhimit të këtij vendi dhe marrin vetëm 0.19 përqind sikur të ishin skllevër të shekullit të 19-të, do kenë mbështetje dhe subvencionet e shtetit të nivelit më të lartë, katër-pesë herë më të larta të nivelit më të lartë që ekzistojnë në rajon”, tha Berisha.

Sa i përket ekonomisë, Berisha tha se PD do të mbetet forca politike me barrën fiskale më të ulët në Europë. Ai ngriti shqetësime për zhvlerësimin e euros dhe dollarit në Shqipëri, duke e lidhur këtë fenomen me atë që e quajti “narkoekonomi”. Berisha tha se trafiku i drogës dhe pastrimi i parave po ndikojnë negativisht në ekonominë shqiptare.

Në fjalën e tij, ai premtoi “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar, duke deklaruar se bandat kriminale dhe zyrtarët që i mbështesin do të përballen me drejtësinë.

“Zero tolerancë! Me forcën e ligjit do ta shtypim krimin siç e kemi provuar. Kudo që ndodhet, në Tiranë, në Shqipëri, në Ekuador, në Bolivi, në të katër anët, në Britaninë e Madhe, në Gjermani dhe kudo!”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se lufta kundër korrupsionit do të jetë një tjetër prioritet i qeverisjes së tij, duke premtuar rikthimin e zbatimit të ligjit për konfliktin e interesit dhe rritjen e transparencës në institucionet shtetërore.

/m.q/j.p

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›