Berisha takim me përfaqësuesit e KiE: Riktheni monitorimin ndaj Shqipërisë

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takim me dy përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të ngarkuar dhe të përzgjedhur nga kjo asamble si raportues për Shqipërinë në fazën pas monitorimit.
Berisha u shpreh se në takim ai informoi se Kuvendi nuk njofton anëtarët e delegacionit të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për takimet e kërkuara nga anëtarët e delegacionit.
Berisha gjithashtu shtoi se i informoi përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës se Shqipëria ka pësuar pas heqjes së monitorimit, kthimin mbrapa më të madh në 32 vite.
Po ashtu, kreu i PD-së tha se ka informuar gjerësisht përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës se zgjedhjet e fundit parlamentare, më shumë se në çdo rast tjetër, u shndërruan në një farsë të shëmtuar elektorale.
Berisha përsëriti akuzat se u përdorën të gjitha potencialet e administratës shtetërore, monetare e njerëzore për të dhunuar zgjedhjet.
“Qëndrimi ynë është rikthimi i monitorimit në mënyrë që shqiptarët të mos rrokullisen më në honet e narkoshtetit, siç po ndodh tani”, deklaroi kreu i PD-së.
Sipas Berishës, diskutimet me përfaqësuesit e KiE u bënë prej tij sikur të ishte zëri i shqiptarëve që e duan këtë vend, që duan shtetin ligjor, që duan të drejtat e njeriut, që duan të ardhmen evropiane.
/gj.m/j.p/r.e/