E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha takon presidentin e PACE: Na mbështesni të rikthejmë rendin demokratik në vend

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Theodoros Roussopoulos.

Berisha i shprehur mirënjohje Presidentit Roussopoulos dhe Asamblesë së PACE për mbështetjen e palëkundur ndaj aspiratave evropiane të Shqipërisë dhe institucioneve të saj demokratike.

Zyra e Medias dhe Komunikimit në PD njoftoi se gjatë takimit, Berisha është shprehur se “bashkëpunimi i qeverisë me rrjetet kriminale ka shkatërruar çdo shtyllë të qeverisjes dhe ka deformuar ekonominë kombëtare duke i sjellë dëme të pariparueshme Shqipërisë”.

Gjithashtu, Berisha është shprehur se “sipas Eurostat, Shqipëria vetëm në zonën e Shengenit, në 10 vite ka humbur mbi 1,099 milionë qytetarë, me të rinjtë dhe profesionistët që largohen masivisht për shkak të mungesës së shpresës, pasigurisë dhe mungesës së mundësive”.

Sipas tij, zhvlerësimi i madh i euros ka shkaktuar rënien e madhe të eksporteve, prodhimit industrial dhe atij bujqësor dhe turizmit në Shqipëri.

Berisha shprehu shqetësim për “farsën zgjedhore parlamentare të vitit 2025, ku kandidatë të Partisë Socialiste me lidhje të padiskutueshme me krimin rezultuan më të votuarit, mes provave serioze për blerje votash, manipulim të votës së diasporës dhe përdorim të burimeve shtetërore për qëllime elektorale. Ndërkohë, tashmë janë të njohura dhe publike faktet që Edi Rama dhe Ministria e Jashtme po lobon dhe shantazhon për ndryshimin e raportit preliminar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri”.

Kreu i PD-së bëri thirrje për një vëmendje më të shtuar nga PACE dhe të gjitha institucionet demokratike ndërkombëtare ndaj narkoregjimit autokratik në Shqipëri, si dhe për mbështetje në rikthimin e rendit demokratik, pavarësisë së drejtësisë dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Sipas PD-së, presidenti Roussopoulos rikonfirmoi angazhimin e PACE ndaj vlerave demokratike dhe shprehu gatishmërinë për të ndjekur nga afër çështjet alarmante të ngritura gjatë takimit.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›