Berisha thirrje partive opozitare: Të bashkohemi për rrëzimin e Ramës

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalimit të tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, iu bëri thirrje forcave opozitare që të bashkohen për largimin e qeverisë. Berisha theksoi se bashkimi është i domosdoshëm për të rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Sipas Berishës me kryeministrin Edi Rama nuk zhvillohen zgjedhje të lira dhe se “opozita nuk fiton kurrë me një farsë elektorale”.
“Asnjë nuk ka të ardhme pa votën e lirë. Ndaj dhe për të votuar të lirë dhe me dinjitet, të ngrihemi, të largojmë Edi Ramën nga pushteti, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejt të ardhmes që meritojmë.
“Ndaj dhe kam një thirrje për çdo forcë opozitare, për çdo opozitar të këtij regjimi, për çdo qytetar të këtij vendi, u bëj thirrje jo si lider i partisë më të madhe opozitare, por si qytetar, si shqiptari-shqiptarit, le të bashkohemi. Çdo opozitar dhe çdo qytetar që sot është kundër bashkimit, ta dijë mirë se turpëron veten e tij para shqiptarëve. Kur ishte nevoja kundër Hitlerit, u bashkua Amerika me Bashkimin Sovjetik, kurse ne shqiptarët opozitarë nuk u bashkokemi dot kundër Edi Ramës?!”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “ai që mendon se humbet vota nga bashkimi, harron se votat nuk kanë asnjë vlerë sa kohë që Edi Rama është në pushtet. Por e kundërta, nga bashkimi dhe sidomos nga triumfi i bashkimit, largimi i Edi Ramës, të gjithë fitojnë. Jo vetëm do të shtohen votat e secilit, por ato vota do kenë peshën dhe vlerën që meritojnë”.
Sipas tij ata do të kthejnë zgjedhjet e lira dhe të barabarta, siç ishin ato në vitin 2013, kur ndodhi rotacioni i fundit i pushtetit në Shqipëri.
Në fjalën e tij Berisha tha se opozita “do ta shembë narkoshtetin me revoltë paqësore”.
/m.q/a.f/r.e/