E Hënë, 2 Nëntor 2026

Besimtarët e krishterë në rrethe festojnë Krishtlindjen

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mijëra besimtarë të krishterë në të gjithë vendin festuan sot Krishtlindjen, ku morën pjesë në meshat e organizuara ku u lutën për më shumë paqe dhe begati.

Në qytetin e Shkodrës mesha e shenjtë e Krishtlindjes u kremtua në katedralen “Shën Shtjefni”, ku Arqipeshkëvi Giovani Peragine udhëhoqi meshën e parë të Krishtlindjes që pas emërimit të tij në këtë detyrë.

Besimtarët uruan njëri-tjetrin, ndërsa një urim përcolli edhe Imzot Angelo Masafra.

Në qytetin e Korçës qindra besimtarë ortodoksë që në mëngjes herët iu drejtuan Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Korçë ku ndoqën meshën e drejtuar nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Anastasi.

Qindra besimtarë të krishterë në Lezhë iu bashkuan ritualit fetar të lindjes së Krishtit në Katedralen e Shën Nikollit në Lezhë, ndërsa mesha e shenjtë u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale, i cili vuri theksin tek mungesa e paqes në botë.

Në Durrës besimtarët e krishterë morën pjesë në meshën e zhvilluar në Kishën Dioqezane Tiranë–Durrës, si edhe në Katedralen e Shën Astit dhe Apostullit Pal. Momente lutjeje, reflektimi dhe paqeje u bashkuan në këtë festë të shenjtë.

Krishtlindja u kremtua edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku besimtarët uruan njëri-tjetrin për më shumë shëndet dhe mbarësi.

Besimtarët u bënë pjesë e meshës edhe në qytetin e Fierit dhe Lushnjës, ndërsa Krishtlindja u kremtua edhe në qytete të tjera të vendit.

/k.s//a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›