Besimtarët katolikë në Korçë bëhen pjesë e “Rrugës së Kryqit”

Besimtarët katolikë të Korçës janë bërë pjesë e “Rrugës së Kryqit”, një nga ritualet më të rëndësishme të periudhës së Pashkëve, duke përkujtuar mundimet dhe sakrificën e Jezus Krishti.
Besimtarët kanë ndjekur me përkushtim ndalesat e kësaj rruge simbolike, duke reflektuar mbi vuajtjet e Krishtit dhe mesazhin e dashurisë, faljes dhe sakrificës. Atmosfera ka qenë e qetë dhe e mbushur me ndjenjë shpirtërore, ndërsa pjesëmarrësit kanë ecur në heshtje, duke u lutur dhe medituar.
Famullitari i kësaj kishe, Dom Injacio, duke folur për rëndësinë e “Rrugës së Kryqit”, u shpreh se kjo është një thirrje për reflektim të thellë për çdo besimtar, për të kuptuar sakrificën e Krishtit dhe për ta përkthyer atë në jetën e përditshme përmes dashurisë ndaj njëri-tjetrit, faljes dhe përulësisë.
“Rruga e Kryqit nuk është vetëm një ritual, por një moment i rëndësishëm shpirtëror që na kujton vuajtjen dhe sakrificën e Krishtit për njerëzimin. Ajo na fton të ndalemi, të reflektojmë dhe të forcojmë besimin tonë”, është shprehur ai.
Pashkët mbeten një nga momentet më domethënëse për komunitetin katolik, duke bashkuar besimtarët në lutje dhe përkushtim.