Besimtarët ortodoksë e nisin vitin me adhurim ndaj Zotit, Kryepeskopi Joan feston 70-vjetorin
Me nisjen e vitit të ri, besimtarët ortodoksë kanë marrë pjesë në Misterin e Liturgjisë Hyjnore me adhurimin e tyre ndaj Zotit, ndërsa po sot Kryepeskopi Joan feston 70-vjetorin e lindjes.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, drejtoi shërbesat e shenjta në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, së bashku me Mitropolitin e Beratit, Hirësi Astin dhe klerikë të Kryepiskopatës dhe jo vetëm.
Në vijim, Kryepiskopi Joan drejtoi shërbesën e Dhoksologjisë për Fillimin e Vitit të Ri. Gjatë Dhoksologjisë iu lutëm Zotit që është krijuesi dhe Zoti i shekujve të bekojë Vitin e Ri.
Në atmosferën festive të ditës u shtua edhe përvjetori i 70- të i jetës së Kryepiskopit Joan, pasi sot, më 1 janar, feston ditëlindjen e tij – “një përvjetor i veçantë që nuk shënon thjesht një moshë, por një jetë të tërë të jetuar si dëshmi e gjallë e hirit të Perëndisë, e besnikërisë ndaj Krishtit dhe e shërbimit të përulur ndaj Kishës dhe popullit”.
“Në Katedralen e mbushur plot me besimtarë, u festua e kremtja zotërore e Rrethprerjes në mish të Zotit tonë Jisu Krisht dhe e shën Vasilit të Madh, një ndër shenjtorët më të njohur dhe të dashur në Kishën tonë. Ndaj në vijim klerikë dhe besimtarë të shumtë morën pjesën në pritjen e organizuar te Qendra Sinodike, pranë Katedrales, ku sipas traditës Fortlumturia e tij, Joani bekoi dhe ndau për secilin pjesëmarrës kekun e Shën Vasilit të Madh. Të gjithë i përcollën urime të përzemërta dhe plot mirënjohje Kryepiskopit Joan për 70- vjetorin dhe për Vitin e Ri”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Arkimandrit Ignati uroi Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin Joan për 70-vjetorin.
Kryepeskopi Joan ka marrë urime edhe nga kishat simotra si dhe nga presidenti i vendit, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra dhe personalitete të tjera.
“Kryepiskopi ynë mori urime edhe nga Patriarkë të Kishave simotra, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj, nga Kryeministri, ministra, personalitete të shquara të vendit, deputetë, akademikë dhe miq.
Udhëtimi i jetës së tij nga atezimi te njohja me Besimin Orthodhoks në kohën e komunizmit; nga studimet në Amerikë te kthimi në Shqipëri për të ringritur Kishën Orthodhokse; nga veprimtaria e tij 27-vjeçare në Mitropolinë e Korçës te froni i Kryepiskopit të Shqipërisë, dëshmon dorën e Zotit me shërbëtorin e tij besnik, i cili ndjek gjurmët e figurave të shquara të Etërve të Kishës sonë”, theksohet më tej në njoftimin e Kishës Ortodokse.
/rtsh.al/