E Diel, 1 Nëntor 2026

Bessent: Irani do ta humbasë “lojën me shumën zero”, do të ketë kosto të mëdha financiare

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar se strategjia aktuale e Iranit në Gjirin Persik do të sjellë kosto ekonomike dhe financiare për Teheranin, duke premtuar se çdo veprim armiqësor do të përballet me masa ndëshkuese ndaj aseteve iraniane.

“Regjimi iranian do të humbasë lojën me shumën zero. Çdo dëm që ai i shkakton aleatëve tanë në Gjirin Persik do të paguhet me fonde të marra nga llogaritë iraniane,” theksoi Bessent në një postim në ‘X’.

Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo pagesë e taksave apo tarifave për autoritetin e Ngushticës së Gjirit Persik do të “kompensohet me fonde të nxjerra nga llogaritë e tyre”.

Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj tensioneve në rajon.  Të dielën, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se qeveritë e rajonit “nuk janë në pozitë të kërkojnë reparacione”, duke iu përgjigjur raporteve se SHBA mund të përdorë asetet e ngrira iraniane për të kompensuar aleatët për dëmet e lidhura me konfliktet.

Deklaratat e Bessent theksojnë një linjë të ashpër nga administrata amerikane ndaj Iranit, duke paralajmëruar se çdo veprim kundër aleatëve të Gjirit do të ketë pasoja direkte financiare për Republikën Islamike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›