Beteja ligjore, BBC i kërkon gjykatës amerikane të rrëzojë padinë 10 miliardë dollarëshe të Donald Trump

Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC) ka ndërmarrë lëvizjen e saj të parë madhore ligjore kundër padisë astronomike prej 10 miliardë dollarësh të ngritur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Të hënën, BBC depozitoi një mocion në një gjykatë amerikane, duke kërkuar rrëzimin e çështjes me argumentin se ajo rrezikon të krijojë një “efekt frenues” për lirinë e shtypit dhe raportimin mbi figurat publike.
Thelbi i përplasjes, dokumentari i vitit 2024
Në qendër të këtij konflikti të paprecedentë ligjor qëndron një dokumentar i BBC-së i titulluar “Trump: Një shans i dytë?”, i cili u transmetua vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2024.
Padia, e ngritur nga Trump në dhjetor, akuzon transmetuesin britanik se ka manipuluar fjalimin e tij të famshëm të 6 janarit 2021. Sipas pretendimeve të presidentit amerikan, programi ka bashkuar tre citate nga pjesë të ndryshme të fjalimit për t’i bërë ato të dukeshin si një thirrje e vetme dhe e drejtpërdrejtë drejtuar mbështetësve për të sulmuar ndërtesën e Kapitolit. Gjatë këtij montazhi, u pre një pjesë thelbësore ku Trump u kërkonte mbështetësve të protestonin “në mënyrë paqësore”.
Për këtë, Trump kërkon 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për shpifje dhe 5 miliardë dollarë të tjerë për “praktika të padrejta tregtare“, duke e cilësuar dokumentarin si një “përpjekje të paturpshme për të ndërhyrë” në zgjedhjet e 2024-ës.
Argumentet e mbrojtjes së BBC-së
Në dokumentin prej 34 faqesh të dorëzuar në gjykatë, ekipi ligjor i BBC-së parashtroi dy argumente kryesore për të kërkuar pushimin e çështjes.
Mungesa e juridiksionit
BBC argumenton se Gjykata Federale për Distriktin Jugor të Floridës nuk ka juridiksion mbi këtë çështje, pasi dokumentari nuk u transmetua kurrë në Florida dhe asgjëkundi në Shtetet e Bashkuara.
Mungesa e “keqdashjes reale”
Sipas BBC-së, ekipi i Trump nuk ka arritur të provojë faktin që gazetarët kishin “ndërmend me vetëdije të krijonin një përshtypje të rreme”, duke theksuar se rasti nuk e përmbush standardin e lartë ligjor amerikan për të vërtetuar shpifjen.
Korporata paralajmëroi gjithashtu se lejimi i kësaj padie mund të dëmtojë rëndë gazetarinë. “Shkarkimi i parakohshëm favorizohet duke pasur parasysh interesin e fuqishëm për të siguruar që liria e fjalës të mos ngarkohet tepër nga domosdoshmëria e mbrojtjes kundër padive të kushtueshme,” thuhet në mocion.
Tërmeti në Londër
Edhe pse BBC po e lufton padinë në gjykatë, vetë transmetuesi ka pranuar më parë gabimin redaktorial. Kryetari i BBC-së i ka kërkuar falje publikisht presidentit Trump, duke pranuar se montazhi krijoi “përshtypjen e një thirrjeje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme”. Ky skandal i brendshëm pati pasoja të rënda në Londër, duke çuar në dorëheqjen e drejtuesit më të lartë të BBC-së dhe të drejtorit të lajmeve gjatë vitit të kaluar.
Pavarësisht kërkesës për ta rrëzuar padinë, muajin e kaluar një gjyqtar amerikan caktoi përkohësisht një datë për fillimin e gjyqit në shkurt të vitit 2027.
/rtsh.al/