Betohen 42 magjistratë të rinj, marrin detyrën nëpër gjykatat e nivelit të parë në 11 qarqe të vendit

42 magjistratë të rinj, të cilët përfunduan me sukses Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2024–2025, iu shtuan këtë të enjte sistemit të drejtësisë shqiptare.
Pas gati tre muajsh nga emërimi formal, ata morën detyrën në gjykatat e shkallës së parë në 11 qarqe të vendit.
“Të jesh magjistrat, por sidomos të jesh magjistrat-gjyqtar, do të thotë që të kesh një përgjegjësi të madhe mbi supe, sepse nuk është momenti që ju ushtroni një funksion apo bëni një punë. Është momenti që ju keni një mision,” tha kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi.
“Jam i bindur që do të mund të kapërceni të gjitha presionet që ushtrohen mbi sistemin, presione të cilat vijnë nga brenda dhe jashtë sistemit,” deklaroi Arben Rakipi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës.
“Profesioni që ju keni zgjedhur, ju e dini, në kohët e sotme është një sfidë e jashtëzakonshme. Vlerat njerëzore, komunikimi vijnë përpara të qenët gjyqtar, jurist, avokat, prokuror apo çdo profesion tjetër,” u shpreh Mirela Bogdani, kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Me emërimin e 42 gjyqtarëve të rinj, numri i gjyqtarëve aktivë në vend arrin në 307, ndërsa i të emëruarve në 350. Por sistemi gjyqësor vijon të jetë nën kapacitet, me 67 vende ende vakante.
Situata më kritike mbetet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku nga 78 vende të parashikuara, janë të mbuluara vetëm gjysma.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/