Betohen ushtarakët e rinj, Vengu: Ushtria shqiptare po modernizohet me infrastrukturë kritike dhe kapital njerëzor

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka përshëndetur sot ushtarakët e rinj gjatë ceremonisë solemne të betimit në Akademinë e Forcave të Armatosura, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi se Forcat e Armatosura që kërkon NATO dhe që meriton Shqipëria ndërtohen mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale. Ai vuri në dukje se fuqia luftarake nuk matet vetëm me teknologji apo pajisje, por mbi të gjitha me kapitalin njerëzor, karakterin, disiplinën dhe aftësinë për të vepruar nën presion.
Duke iu drejtuar kadetëve, Vengu tha se “kur u rreshtuat për herë të parë në këtë shesh, secili prej jush ishte një emër i ri. Sot, teksa bëni betimin, jeni pjesë e një trupi të përbashkët”.
Ai i cilësoi ushtarët e rinj si “forcat e gjalla të kombit, pjesë e një familjeje të madhe qytetarësh që besojnë se siguria dhe e ardhmja e vendit mbrohen nga përkushtimi juaj”.
Ministri vlerësoi faktin që të rinjtë i janë bashkuar Forcave të Armatosura vullnetarisht, në një kohë kur shumë vende po rikthejnë shërbimin e detyrueshëm.
“Është për t’u vlerësuar fakti që i bashkoheni Forcave të Armatosura vullnetarisht, në një kohë kur kontinenti dhe rajoni ynë përballen me sfida të mëdha dhe shumë vende po rikthejnë shërbimin e detyrueshëm. Ju nuk jeni këtu sepse ju është kërkuar, ju jeni këtu sepse keni zgjedhur të jeni. Dhe kjo zgjedhje ka peshë morale, shoqërore dhe strategjike. Por kjo zgjedhje nuk fillon sot. Ajo mbështetet mbi breza ushtarakësh që shërbyen në kushte shumë më të vështira, me më pak mjete, por me të njëjtin përkushtim. Ata janë kujtesa se shërbimi ushtarak është një rrugë nderi, por edhe sakrifice”, u shpreh ai, duke kujtuar brezat e ushtarakëve që kanë shërbyer në kushte të vështira, por me të njëjtin përkushtim.
Vengu ndaloi edhe tek vizioni strategjik i Ministrisë së Mbrojtjes, duke theksuar se programi “Mbrojtja 2030” mbështetet mbi dy shtylla kryesore, kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën kritike.
Ai nënvizoi se investimet në Akademinë e Forcave të Armatosura, qendrat stërvitore, laboratorët dhe sistemet moderne të trajnimit nuk janë luks, por domosdoshmëri për një ushtri moderne dhe të ndërveprueshme me aleatët e NATO-s.
Ministri e cilësoi Akademinë e Forcave të Armatosura si një nga institucionet më serioze të arsimit të lartë në vend, duke theksuar se çdo kadet dhe student ushtarak është pjesë e transformimit të ushtrisë shqiptare.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, “Forcat e Armatosura që kërkon NATO dhe që meriton Shqipëria ndërtohen mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale”.
“Programi strategjik “Mbrojtja 2030” mbështetet mbi dy shtylla të qarta kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën kritike. Investimet në Akademinë e Forcave të Armatosura, në qendrat stërvitore, laboratorët, poligonet dhe sistemet moderne të trajnimit nuk janë luks. Ato janë domosdoshmëri për një ushtri moderne, të besueshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë”, tha Vengu.
Ai shtoi se në radhët e ushtarëve të rinj ka edhe kadetë nga Kosova, duke e cilësuar këtë si një ndërtim real besimi dhe sigurie rajonale.
“Ky edukim i përbashkët nuk është retorikë. Është ndërtim real besimi, ndërveprueshmërie dhe sigurie rajonale. Nesër, në misione reale, kjo përkthehet në kohezion, efektivitet dhe sukses operacional. Ju po përmbyllni fazën e parë të rrugëtimit tuaj ushtarak. Përpara jush janë mundësi për arsimim të mëtejshëm, trajnime brenda dhe jashtë vendit, zhvillim profesional dhe përgjegjësi drejtuese. Sot, Forcat e Armatosura janë më shumë se ushtri. Ato janë shtyllë e mbrojtjes kombëtare, përfshirë edhe dimensionin kibernetik vendimtar për sigurinë e shekullit XXI”, theksoi Vengu.
Në përfundim, ministri i Mbrojtjes falënderoi ushtarët e rinj në emër të Ministrisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer Atdheut.
“Forcat e Armatosura janë më shumë se ushtri, ato janë shtyllë e mbrojtjes kombëtare, përfshirë edhe dimensionin kibernetik vendimtar për sigurinë e shekullit XXI”, përfundoi Vengu.
/rtsh.al/