Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mban tashmë emrin “Ismail Kadare”

Dy vjet pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit më të madh të letërsisë shqipe, Ismail Kadaresë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë organizoi ceremoninë përkujtimore me titull “Gjithkush Kadarenë e vet”. Akademikë, studiues të letërsisë, pedagogë, studentë dhe dashamirës të veprës së tij u bënë pjesë e një mbrëmjeje homazh, ku ndanë përjetimet, kujtimet dhe mënyrën se si krijimtaria e Kadaresë ka lënë gjurmë në jetën dhe formimin e secilit prej tyre.
“Shkrimtari që me veprën e tij e ngriti letërsinë shqipe në një dimension universal. Tema e kësaj mbrëmje na kujton se autorët e mëdhenj përmes tekstit të tyre rikrijon brenda nesh”, u shpreh gazetari Mark Marku.
Në shenjë nderimi për kontributin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit, Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u pagëzua me emrin “Ismail Kadare”. Ceremonia u shoqërua me zbulimin e pllakës emërtuese, duke e kthyer këtë hapësirë në një simbol të kujtesës dhe trashëgimisë së autorit që e bëri letërsinë shqiptare të njohur në mbarë botën.
“Kjo është gjë shumë e bukur sepse unë jam vetë sikurse Ismaili para meje duke kaluar këto korridore. Janë vendi ku unë kam studiuar këtu e kam bërë fakultetin. Ai gjithashtu para meje dhe gjithçka është ndryshuar shumë bukur. Ja thashë Markut e njoh dhe s’e njoh sepse është tjetër gjë fare. Kështu që lum ata studentë që do të vijnë dhe të kenë mundësinë të kenë këtë bibliotekë kaq të pasur që mban këtë emër që për fat të mirë rinia e nderon”, tha Elena Kadare.
Me emrin e Ismail Kadaresë, kjo bibliotekë synon të jetë jo vetëm një vend studimi dhe kërkimi shkencor, por edhe një hapësirë frymëzimi për brezat e rinj, ku kujtimi dhe vepra e shkrimtarit do të vazhdojnë të jetojnë përmes leximit, studimit dhe dialogut me letërsinë e tij.
/rtsh.al/