Biden: Armët amerikane në Ukrainë nuk do të përdoren për të goditur Moskën

Armët që Shtetet e Bashkuara të Amerikës autorizuan Ukrainën të përdorte në territorin rus nuk do të përdoren për të goditur Moskën apo Kremlinin, siguroi Joe Biden në një intervistë.
Javën e kaluar presidenti amerikan i hapi dritën jeshile, në kushte të caktuara, përdorimit të armëve amerikane nga Kievi kundër objektivave në Rusi, që ndodhen pranë rajonit të Kharkivit, në verilindje të Ukrainës.
Kur u pyet nëse këto armë ishin përdorur tashmë nga Kievi, Joe Biden nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por siguroi se ”SHBA nuk lejuan përdorimin e tyre për të goditur 300 kilometra brenda territorit rus ose në Moskë ose në Kremlin”.
“Ato duhet të përdoren pranë kufirit në rast të sulmeve kundër objektivave ukrainase të nisura nga Rusia”, theksoi ai.
I pyetur nëse ishte i shqetësuar pas deklaratave të Vladimir Putin në lidhje me dërgesat e armëve perëndimore në Kiev, Joe Biden shpjegoi se “e njoh atë prej 40 vjetësh. Ai nuk është një njeri i mirë, ai është një diktator dhe po përpiqet të mbajë kontrollin mbi vendin e tij”.
/ rtsh.al /