Bilali: Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas operacionale në 2027-ën

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Hekurudha Tiranë-Durrës-nyja e Rinasit pritet të jetë plotësisht operacionale në vitin 2027, duke u shndërruar në një nga projektet më të rëndësishme të modernizimit të transportit hekurudhor në vend.
Linja e re do të shërbehet nga trena elektrikë dhe do të ndërtohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, me synim rritjen e sigurisë, shpejtësisë dhe cilësisë së shërbimit për udhëtarët në këtë korridor strategjik.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, deklaroi se paralelisht me zhvillimin e infrastrukturës po punohet edhe për forcimin e kapaciteteve njerëzore, për shkak të elementëve të avancuar të digjitalizimit që do të përfshihen në operim.
Ajo theksoi se në këtë proces po bashkëpunohet me Swiss Agency for Development and Cooperation (SECO), e cila ka mundësuar shkëmbime profesionale mes Hekurudha Shqiptare dhe Swiss Federal Railways (SBB), me qëllim transferimin e ekspertizës nga një prej operatorëve më të zhvilluar hekurudhorë në Evropë.
”Paralelisht po punojmë edhe për ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore meqenëse operimi do të ketë shumë elementë digjitalizimi. Për këtë arsye po bashkëpunojmë me Agjencinë Zvicerane të Zhvillimit Ekonomik (SECO), të cilët kanë mundësuar ndër të tjera shkëmbime mes Hekurudhës Shqiptare dhe Hekurudhës Zvicerane (SBB)”, tha ajo.
Sipas saj, në të kaluarën transferimi i dijes është mbështetur kryesisht te vende të rajonit ose ekspertizë e huaj që jo gjithmonë i është përshtatur nevojave të vendit, ndërsa aktualisht bashkëpunimet e reja synojnë standarde më të avancuara dhe më të përshtatshme për sistemin shqiptar të transportit.
“Vite më parë transferimi i kapaciteteve shikohej veç me vendet e rajonit apo ekspertiza të huaja që jo gjithmonë reflektonin nevojat e veçanta të vendit tonë. Sot falë marrëveshjeve qeveritare në fuqi dhe stabilitetit të vendit këtë dije e marrim nga kompania shtetërore hekurudhore me performancën ndër më të mirat në Europë”, u shpreh Bilali.
Rehabilitimi i linjës ekzistuese hekurudhore Durrës-Tiranë dhe ndërtimi i segmentit të ri Domje I/C – Rinas do të mundësojë një shërbim transporti hekurudhor më të shpejtë dhe më të rregullt midis Tiranës, Durrësit dhe Aeroportit “Nënë Tereza” dhe do të përmirësojë aksesin në zonat përreth linjës.
/r.e/a.f/