E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci 2025, ligji i Lobimit dhe i Sinjalizuesve, ja sa u dëgjua zëri i shoqërisë civile në hartimin e drafteve

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) ka publikuar raportin vjetor për procesin e konsultimit publik gjatë vitit 2025. Dokumenti hedh dritë mbi mënyrën se si janë hartuar disa nga ligjet më të rëndësishme të paketës antikorrupsion dhe reformës në administratë.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se gjatë vitit që lamë pas, vëmendjen më të madhe të grupeve të interesit e ka marrë Projektligji për Lobimin dhe ai për Sinjalizuesit, dy nisma kyçe për transparencën dhe luftën ndaj korrupsionit.

Ligji i Lobimit, më i debatuari

Sipas raportit, projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë” ka regjistruar numrin më të lartë të reagimeve. Në total janë administruar 96 komente dhe rekomandime nga aktorë të ndryshëm. Gati gjysma e tyre (47 komente) janë pranuar plotësisht nga institucioni, ndërsa 20 të tjera pjesërisht. Kjo tregon një ndikim të drejtpërdrejtë të shoqërisë civile në variantin final të ligjit.

Nga ana tjetër, projektligji për “Sinjalizuesit” ka marrë 75 komente, nga të cilat 20 janë pranuar, ndërsa shumica (50) janë refuzuar pas shqyrtimit teknik.

Reforma në administratë

Pjesë e konsultimit ka qenë edhe dokumenti strategjik “Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2025-2030”. Ndonëse në portalin elektronik pati mbi 2 mijë vizitorë, komentet reale (42 në total) erdhën kryesisht përmes rrugëve zyrtare dhe takimeve, dhe jo drejtpërdrejt në sistemin online.

Ndonëse MAPA e ka vetëvlerësuar procesin me notë maksimale sa i përket respektimit të procedurave ligjore dhe afateve (20 ditë), raporti evidenton një problematikë të mbartur: pjesëmarrësit janë gjithmonë të njëjtët.

“Sfidë kryesore mbetet nevoja për të zgjeruar më tej bazën e aktorëve. Kontributet kanë ardhur kryesisht nga një rreth i ngushtë, i përbërë nga ‘think tanks’, partnerë ndërkombëtarë dhe akademia,” thuhet në raport.

Institucioni pranon se përfshirja e sektorit privat dhe qytetarëve të thjeshtë mbetet e ulët, veçanërisht në çështjet teknike të administratës. Për vitin e ardhshëm, synimi është diversifikimi i kanaleve të komunikimit për të thyer këtë rreth të mbyllur konsultimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›