E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci i një vit qeverisje, Rama: Instituti amerikan CATO rendit Shqipërinë në pozita inkurajuese për lirinë ekonomike dhe njerëzore

Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit 2025 dhe paraqiti prioritetet e qeverisë për periudhën në vijim. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi përparimet e bëra në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë dhe arsimimin, si dhe sfidat që duhet të përballojë Shqipëria në vitin 2026.

Rama theksoi se Shqipëria ka shënuar një vit të suksesshëm në aspektin ekonomik dhe të lirisë, duke cituar një raport të Institutit amerikan CATO, i cili vlerëson pozicionin e Shqipërisë në lirinë njerëzore dhe ekonomike.

Sipas raportit, Shqipëria renditet e 39-ta në nivel global për lirinë njerëzore dhe ekonomike dhe e 9-ta në Evropën Lindore. Rama tha se kjo është një arritje e rëndësishme, e cila tregon përpjekjet e qeverisë për të krijuar kushte të favorshme për biznesin dhe për të garantuar liri më të mëdha për qytetarët.

“Instituti amerikan CATO që publikon indeksin lidhur me lirinë njerëzore dhe ekonomike, Shqipëria ka një pozicion shumë inkurajues është e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe e 9 në të gjithë pjesën e Evropës Lindore. Sa i përket lirisë ekonomike renditet përpara vendeve si Polonia, Bullgaria, Kroacia, Greqia e kështu me radhe dhe po ashtu për lirinë njerëzore. Ndërkohë që për lirinë ekonomike është në pozicion më të mirë”, tha Rama.

Rritja ekonomike dhe zhvillimi i biznesit

Rama theksoi se ekonomia e Shqipërisë është në një vit të suksesshëm, me një rritje ekonomike prej 3.9%, një nivel që është një nga më të mirët në rajon.

“Jemi në një vit nga më të mirët me të dhëna shumë pozitive dhe parashikohet që të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9 % që është një rritje kuptimplotë dhe mbase më e larta në të gjithë këtë pellg ku gjendemi ne në kontinentin tonë. ndërkohë që bizneset e reja janë shtuar me 20 %, investimet e huaja kanë pasur rritje mbi 10 % në 3 mujorin e tretë dhe stoku i investimeve të huaja është më i lartë me vitin e mëparshëm. Paga mesatare ka rezultuar 883 euro që është një rritje domethënëse, kemi për pak ditë edhe hyrjen në fuqi të pagës minimale 500 euro qoftë në sektorin privat dhe atë shtetëror. Nga tetori 2025 është kryer edhe indeksimi i pensioneve dhe me hyrjen e 2026 nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do shkojë duke u rritur vit pas viti. Duke nisur nga janari pensionet do rriten përtej indeksimit”, tha Rama.

Arsimi profesional dhe ulja e borxhit publik

Një tjetër pikë ishte edhe arsimi profesional, ku Rama tha se 63% e studentëve që kryejnë arsimin profesional janë të punësuar, duke treguar se ky sektor po i shërben realisht tregut të punës.

“63 % të punësuarit nga nxënësit që kryejnë arsimin profesional. Buxheti për arsimin profesional është rritur ndjeshëm këtë vit dhe do rritet mw shumë vitin e ardhshëm, sa i përket politikave të strehimit social ka pasur mbështetje për rreth 4000 familje dhe po përgatisim reformën e strehimit social për të hapur një epokë krejt të re dhe për të rritur ndjeshëm numrin e përfituesve jo vetëm për strehimin social por edhe strehimin e përballueshëm në aspektin e çmimit”, tha ai.

Përsa i përket borxhit publik, Kryeministri Rama njoftoi se borxhi ka pësuar një ulje dhe se Shqipëria ka një ekonomi të qëndrueshme.

“Borxhi publik ka shënuar ulje dhe Shqipëria ka një ekonomi të qëndrueshme, ka një rritje të ardhurat nga tatimet dhe Doganat pa rritur taksat, 628 mld lekë kanë hyrë nga këto në arkën e shtetit. Janë miratuar disa politika të reja sa i përket paketës fiskale dhe paqes fiskale dhe faljes së detyrimeve të prapambetura dhe skema e re e kompensimit të TVSH me 10 % për fermerët”, tha ai

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›