E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizhuteritë e vjedhura nga Luvri vlejnë 90 milionë euro. Drejtori i muzeut pritet të përballet me senatorët francezë

Vlera e bizhuterive të vjedhura nga Muzeu i Luvrit në Paris është vlerësuar në rreth 90 milionë euro, ndërsa drejtori i institucionit, Laurence des Cars, pritet të raportojë përpara senatorëve francezë lidhur me mënyrën se si ndodhi grabitja spektakolare në mes të ditës.

Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, kur një bandë prej katër hajdutësh hyri në galerinë “Apollo”, një nga më të famshmet e muzeut, duke përdorur një shkallë ngritëse për mobilje për të hyrë nga rruga poshtë ndërtesës. Ata morën tetë bizhuteri të rralla që dikur i përkisnin familjeve perandorake të Napoleonit dhe Napoleonit III, me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore.

Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, duke folur para Asamblesë Kombëtare, mbrojti institucionin dhe hodhi poshtë pretendimet për dështim të sistemit të sigurisë.

“Aparati i sigurisë së Luvrit nuk dështoi, ky është një fakt. Ai funksionoi siç duhet”, tha Dati.

Megjithatë, ajo pranoi se një pjesë e buxhetit për rinovimin e muzeut do t’i dedikohet përditësimit të sistemit të sigurisë, përfshirë instalimin e kamerave të reja CCTV.

Në një deklaratë zyrtare, vetë Luvri kundërshtoi pretendimet se masat e sigurisë ishin të vjetruara, duke theksuar se vitrinat që mbronin bizhuteritë e vjedhura ishin instaluar në vitin 2019 dhe përfaqësonin “një përmirësim të konsiderueshëm në siguri”.

Prokuroria e Parisit ka angazhuar një njësi të specializuar për krime të organizuara për të hetuar grabitjen. Hetuesit besojnë se grupi ka vepruar me përgatitje të lartë, por kanë në dorë disa prova të rëndësishme si një jelek i verdhë me gjurmë ADN-je, një kurorë e lënë pas, motoçikleta, një targë dhe çanta e përdorur për hyrjen në galerinë e katit të parë.

Bizhuteria e mbetur në vendngjarje, një kurorë që i përkiste Perandoreshës Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III, po analizohet nga ekspertët, ndërsa autoritetet shpresojnë që provat e mbledhura të çojnë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes që ka tronditur Francën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›