E Martë, 3 Nëntor 2026

Bizneset te “Pazari i Ri” nisin lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga zaptimet, është aksioni i ndërmarrë nga pushteti vendor në të gjitha bashkitë e vendit gjatë javës së parë të korrikut.

Pas ultimatumit të kreut të qeverisë, Edi Rama, një pjesë e bizneseve dhe sipërmarrësve i janë përgjigjur pozitivisht duke nisur çmontimin e strukturave lokale, tendave apo heqjes së karrigeve dhe tavolinave nga trotuaret.

Edhe një pjesë e bizneseve në zonën e “Pazarit të Ri” në kryeqytet, kanë reaguar ditën e sotme duke nisur heqjen e këtyre strukturave në hapësirat publike me qëllim përmirësimin e bashkëjetesës në hapësirat publike mes qytetarëve, turistëve që kanë mbushur Tiranën dhe shumë qytete të vendit në pikun e sezonit turistik dhe jo vetëm.

Në një vëzhgim të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ditën e sotme në zonën e “Pazarit të Ri”, subjekte të ndryshme dhe biznese që kanë aktivitetin të pozicionuar aty, kanë nisur heqjen e karrigeve, tavolinave dhe çmontimin e tendave.

Ky angazhim është ndërmarrë nga pjesa dërrmuese e bizneseve te “Pazari i Ri”, si një shenjë pozitive për t’iu kthyer trotuaret dhe hapësirat publike qytetarëve, për një bashkëjetesë në komunitet brenda normave dhe standardeve.

Çlirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror gjatë gjithë muajit korrik. Çlirimi jo vetëm i trotuareve, por edhe i hapësirave në plazhet publike apo në pedonalet e qyteteve në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

Bizneset lirojnë trotuaret, foto: Andrin Hoxha 1 nga 11

/e.i//a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›