Bjarke Ingels Group, fitues i garës ndërkombëtare për “Parkun e Besimit”

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Studioja ndërkombëtare BIG – Bjarke Ingels Group (BIG) është shpallur fitues i garës ndërkombëtare për Parkun e Besimit (Faith Park) mes 12 finalistëve nga vende të ndryshme si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia.
Ky projekt vizionar synon të kthejë harmoninë ndërfetare në një eksperiencë të prekshme, përmes natyrës.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në shpalljen e fituesit, theksoi rëndësinë e projekteve të tilla që nxisin bashkëjetesën dhe frymën qytetare
Ai e cilësoi parkun si një projekt unikal të Tiranës për Shqipërinë 2030, ku besimet do të shihen dhe shijohen përmes pemëve e bimëve të shkrimeve të shenjta.
Parku i Besimit, theksoi Kryeministri, vjen si një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për promovimin e harmonisë ndërfetare, një vlerë që vendi ynë e ruan prej shekujsh.
Rama falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë konkurs, duke e cilësuar atë si “më komplekse, më emocionale dhe më të ndërlikuar” nga të gjithë proceset e ngjashme të zhvilluara më parë.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë konkurs. Deri tani është më kompleksi, më emocionali dhe më i ndërlikuari. Ishte një konkurs që pasqyroi përpjekjet e të gjithë pjesëmarrësve dhe mënyrën e ndjeshme të prezantimit nga secili. Ishte një kohë nga e cila mësuam të gjithë, sepse kishte shumë gjëra për të diskutuar dhe për të kuptuar thellë ndërsa i analizonim projektet me përkushtim,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi dëshirën për të realizuar më shumë parqe të ngjashme në të ardhmen dhe vlerësoi lart kontributin e të gjithë konkurrentëve.
“Ajo që na keni sjellë është e admirueshme. Ky projekt do të na bëjë krenarë. Është një moment i veçantë i arkitekturës, ku natyra dhe peizazhi ndërthuren në mënyrë harmonike. Ky është një nga ato momente që të bën të ndihesh i bekuar dhe që ia vlen të përballosh gjithë mizerabilitetin që sjell politika”.
Parku i Besimit, i konceptuar si një hapësirë simbolike e bashkëjetesës fetare dhe harmonisë kulturore, pritet të jetë një vepër ikonike që do të pasurojë peizazhin dhe identitetin shpirtëror të vendit. Projekti është vlerësuar për qasjen e tij gjithëpërfshirëse, inovative dhe për mënyrën si i jep jetë bashkëjetesës midis natyrës, njeriut dhe besimeve.
Përfaqësuesi i kompanisë fituese “Bjarke Ingels Group” që do të zbatojë projektin e Parkut të Besimit ka shprehur entuziazmin dhe vlerësimin për këtë arritje, duke theksuar se ideja për këtë projekt ka lindur si rezultat i një procesi të gjatë bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi që zgjat prej më shumë se 15 vitesh.
“Jam shumë i gëzuar që jemi shpallur fitues. Mendoj se ky projekt për krijimin e Parkut të Besimit ka dalë nga një sërë bashkëbisedimesh dhe ndërveprimesh që kemi pasur madje prej 15 viteve të fundit. Në këtë kuptim, projekti është dëshmi e faktit që në këtë klimë unike kulturore të Shqipërisë ka një udhëheqje krijuese, kurajo për mendime, propozime dhe ide që nuk bien në vakum. Ne mblidhemi, flasim, mbjellim farën dhe pas 15 vitesh shohim që gjërat shndërrohen në realitet”, u shpreh ai.
Ai theksoi se ndihen të nderuar për realizimin e këtij projekti, të cilin synojnë ta sjellin në jetë në një formë që i shkon për shtat misionit të vetë Parkut të Besimit një hapësirë ku bashkëjetesa fetare, toleranca dhe trashëgimia kulturore ndërthuren në mënyrë harmonike.
Parku i Besimit pritet të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të promovimit të bashkëjetesës dhe diversitetit në Shqipëri, duke pasqyruar vlerat unike të tolerancës ndërfetare që e karakterizojnë vendin tonë.
Shpallet fituesi e garws ndërkombëtare për Parkun e Besimit - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 7