E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec, drejtori i ARRSH: Ndërtuam by-pass brenda 48 orëve, sot hapet për qarkullim

Një segment i rëndësishëm i aksit që lidh Librazhd me Pogradec u bllokua dy ditë më parë si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave në zonën e Dragostunjës, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe shqetësim për drejtuesit e mjeteve.

Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëri të ditur se brenda 48 orëve është ndërtuar një by-pass provizor për të shmangur bllokimin total të rrugës. Ai njoftoi se gjatë fashës orare 12:00-16:00 do të bëhet e mundur hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve.

“Është bërë një punë intensive. Në 48 orë kemi arritur të ndërtojmë një by-pass. Gjatë ditës së djeshme zhvilluam edhe një unazë sekondare që për çdo gjë që mund të ndodhë aty, të mos ndodhemi sërish në një situatë bllokimi total. Ne presim në fashën orare 12:00–16:00. Megjithatë do t’ju njoftojmë menjëherë sapo të hapet. Aktualisht nuk ka radhë për të kaluar. Unë kam qenë në kantier gjatë këtyre 48 orëve”, u shpreh Kozeli.

Sipas tij, situata është shkaktuar nga një erozion aktiv në zonën e Dragostunjës, ku ka pasur një plan rrëshqitjeje shumë intensive, që nga bazamenti i lumit deri në sipërfaqe.

“Kemi pasur erozion aktiv. Ka pasur një plan rrëshqitje shumë të madh dhe në afërsi të urës, gjë që solli dhe bllokimin. Ura kishte pësuar dëmtime thelbësore. Ne arritëm ta bllokojmë atë me shpejtësi para se të ndodhte një tragjedi”, deklaroi drejtori i ARRSH-së.

Autoritetet theksojnë se ndërhyrja e shpejtë shmangu rrezikun për përdoruesit e rrugës, ndërsa po vijon monitorimi i zonës për të parandaluar situata të ngjashme.

Kozeli sqaroi se aksi ekzistues dhe ura janë struktura të ndërtuara prej më shumë se dy dekadash. Ai sqaroi se kolaudimi i urës është në vitin ’97 ndërsa aksi  është kolauduar nga ARRSH në 2001.

“Po flasim për një urë 30-vjeçare, e kolauduar në ’97, ndërkohë që aksi është kolauduar nga ARRSH në 2001, ndërsa ndërtimi është i vitit ’99. Ka pasur vazhdimisht punime mirëmbajtjeje dhe kjo është arsyeja pse nuk ka pasur asnjëherë problem aty. Por problemi në fjalë është për shkak të erozionit që ka shkaktuar dëme në urë”, tha ai.

Sipas ARRSH-së, aksi vijon të jetë nën monitorim, ndërsa by-passi i ndërtuar plotëson parametrat e sigurisë për qarkullimin e mjeteve.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të respektojnë sinjalistikën në zonën ku po kryhen punimet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›