Bllokohet të hënën përkohësisht aksi Vlorë-Orikum, IKMT kryen një shpërthim të kontrolluar

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) njofton se nesër, më datë 11 gusht 2025, në orën 07:30 të mëngjesit, do të kryhet demolimi me shpërthim të kontrolluar i një objekti trekatësh, ndodhur pranë aksit rrugor Vlorë – Orikum.
Sipas IKMT-së, objekti në fjalë është ndërtim pa leje dhe ndërhyrja vjen në kuadër të zbatimit të ligjit dhe çlirimit të hapësirave publike.
Aksioni do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Ushtrisë, Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Për realizimin e operacionit janë kryer përgatitjet teknike, si hapja e 410 furnelave, shtrirja e 1100 metrave linearë fitil detonant, si dhe vendosja e 32 kilogramëve lëndë plasëse.
Për të garantuar sigurinë dhe për të minimizuar ndikimet në zonën përreth, shpërthimi do të kryhet herët në mëngjes.
Si masë paraprake do të bllokohet përkohësisht aksi rrugor Vlorë – Orikum, si dhe do të ndërpritet përkohësisht furnizimi me energji elektrike, 15 minuta përpara shpërthimit.
Gjithashtu, do të jenë të pranishme mjetet zjarrfikëse, ambulanca dhe personeli përkatës për të menaxhuar çdo situatë emergjente. Të gjithë pronarët e objekteve pranë perimetrit të sigurisë janë njoftuar dhe informuar për masat mbrojtëse që duhet të ndërmarrin.
/r.e/