E Martë, 3 Nëntor 2026

Bloomberg: Aeroporti i Vlorës shtysë për investimet elitare! Resorti i Kushner ofron turizmin e nivelit të lartë

“Një aeroport i ri ndërkombëtar në bregdetin e Shqipërisë do të fillojë fluturimet brenda disa javësh në një rajon ku dhëndri i Donald Trump po planifikon një zhvillim të shkëlqyer për turizmin elitar.”

Kështu e nis artikullin agjencia e lajmeve “Bloomberg” për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe investimet e Jared Kushner në Sazan.

Gjatë tre viteve të fundit, një grup investitorësh kanë investuar 170 milionë dollarë për të ndërtuar një ish-pistë ushtarake ajrore në aeroportin e Vlorës, për ta kthyer në aeroportin e dytë më të madh të Shqipërisë. Sipas “Bloomberg” operacionet me charter do të fillojnë këtë verë dhe aeroporti pritet të ofrojë shërbim të plotë gjatë këtij viti.

Agjencia prestigjioze e lajmeve në brendësi të artikullit shkruan se Aeroporti i Vlorës do të lehtësojë aksesin në pjesën jugore të vijës bregdetare të Shqipërisë, e cila kohët e fundit është shndërruar në një magnet për turistët e joshur nga çmimet më të lira dhe një destinacion premtues krahasuar me Greqinë ose Kroacinë.

Aeroporti është gjithashtu pjesë e një përpjekjeje më të madhe për ta rikthyer Vlorën në një destinacion turistik të nivelit të lartë, pasi jo shumë larg me anije ndodhet ishulli i Sazanit, ku Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, planifikon të zhvillojë një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh.

Vlora është tani një pikë qendrore për vizionin e Kryeministrit Rama për ta transformuar Shqipërinë në një qendër turistike evropiane shkruan “Bloomberg” dhe falë aeroportit kapaciteti fillestar i të cilit parashikohet të jetë 2 milionë pasagjerë në vit, me qëllim që të arrijë 10 milionë brenda një dekade.

Në artikullin e fundit të agjensisë së lajmeve “Bloomberg” thuhet ndër të tjera se turizmi është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë, duke përbërë rreth 20% të produktit të brendshëm bruto ku ka dhe qindra persona të punësuar në këtë sektor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›