Blushi: Të ndalet ndërhyrja politike në pushtetin lokal

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i bëri thirrje sot përmes një deklarate për mediet, Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE të monitorojë ecurinë e reformave pasi sipas tij, Kryeministri Rama po shkel autonominë e pushtetit vendor.
“Partia e Lirisë dënon me forcën më të madhe ndërhyrjet e përsëritura dhe të paprecedenta të Kryeministrit Edi Rama në punët e brendshme të bashkive, veçanërisht rastet flagrante të ndodhura në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi në Bashkinë e Vlorës”, deklaroi Blushi. Sipas tij, Këto akte përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, të cilat janë themele të një shteti funksional dhe demokratik. Partia e Lirisë kërkon të ndalet menjëherë çdo formë ndërhyrjeje politike në punët e brendshme të bashkive dhe të respektohet me rigorozitet autonomia kushtetuese dhe ligjore e pushtetit vendor. “Partia e Lirisë u bën thirrje shoqërisë civile, Këshillit të Europës dhe institucioneve të Bashkimit Europian që monitorojnë ecurinë e reformave demokratike, të reagojnë me vendosmëri ndaj këtij precedentit të rrezikshëm që minon demokracinë lokale dhe rendin kushtetues të vendit”, u shpreh Blushi.